BDI-Dibër ka reaguar lidhur me funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare Bllatë, duke kërkuar afate konkrete për vënien në funksion të tij.
Në reagimin e publikuar nga BDI-Dibër thuhet se çështja është ngritur nga deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, përmes një pyetjeje drejtuar zv.kryeministrit Bekim Sali.
“Qëndrimi ynë është i qartë: qytetarët e Dibrës dhe mërgata meritojnë afate konkrete, transparencë dhe shërbime kufitare pa pritje të panevojshme”, thuhet në reagim.
BDI-Dibër kërkon të dijë se kur do të vihet përfundimisht në funksion sistemi “One Stop Shop” në Bllatë.
Sistemi synon që kontrollet kufitare të kryhen përmes një ndalese të vetme, me qëllim shkurtimin e procedurave dhe kohës së pritjes. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për zbatimin e këtij sistemi u nënshkrua në qershor 2026.
BDI-Dibër vlerëson se funksionalizimi i plotë i sistemit në Bllatë do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e Dibrës dhe mërgatën që përdor këtë pikë kufitare.



