Drini është dhurata jonë prej Zotit, por edhe drama nga ana tjetër e një vendi rebel të ngjashëm me vetë njësinë e afërt gjeografike e gjeopolitike të veten.
Drini është simboli ynë i përbashkët, forca jonë, dhimbja dhe ura jonë. Ky është lumi ynë që rrjedh pa ndaluar as edhe një cast njëjtë sikundër edhe jeta jonë e bijve të Drinit.
Po Drini është fati ynë i padijshëm që kërrkush prej nesh nuk e di se ku mund ta përplasë.
Ky është lumi që veç rrjedh e sikur nuk çan kryet për atë sesi rrjedhin fatet e jetëve të njerëzve të vetë vendit ku lumi gjarpëron.
Lumi veç rrjedh, e lag këtë tokë – ua lag trupat bijve të vet por se prapë veç ecën pa dashtë me dijtë për pengesa: as për trupa, as për kaçuba, as për drunj, pemë, gurë e zhavorrë.
Drini jonë është fati i pandashëm me jetët tona. E se më tej Drini që rrjedh nga anët tona – që i lag tokat e Dibrës tek derdhet në Adriatik – quhet si për dreq: i Zi.
Po ç’domethënë i zi? Si mundet që lumi të jetë i zi? Unë si dhe ju jemi larë aty.
Po jemi larë dhe jemi shpërlarë në lumin e Ballkanit, që kryq e tërthor i bie një gadishulli të kryqëzuar keqas mes Lindjes dhe Perëndimit.
Por mos u çudisni nga fakti se ju e keni parë lumin e pastër dhe se nga ana tjetër ky lum na qenkërkash “i zi”.
Mos bëni sikur nuk e keni parë edhe të zi jo veç të kaltër dhe të bardhë e jo gjithnjë të qetë.
Drini hera-herës në stinët e egra sidomos ngrihet lart si vullkan dhe stërkalat i lëshon deri në Urën e Topojanit.
Po ashtu e vërtetë është se me siguri që e keni parë se në lum – kur ai tërbohet – krijohen vorbulla të rrezikshme që përpiqen të të gëlltisin, të të hanë e të të rrjepin.
Nuk është gënjeshtër po ta themi se Drini ka këputur edhe jetë, madje të njoma krejt që shuhen në vorbulla të tërbuara si kuçedra.
E pra Drini është krenaria jonë e dhuruar prej Zotit po aq sa edhe fataliteti ynë i përditshëm, i çdokohshëm, i pandalshëm.
Drini është fati ynë i turbulluar si tel i pazgjidhshëm; Drini është zemra jonë e rrëmbyer, fytyrat tona herë të rrëmbyera dhe herë fatkeqe, krejt jeta jonë me të mirat më shpresëdhënese dhe të këqijat më vdekjeprurëse.
Po ç’ka është Drini, rrjedhja e këtij lumi me nam të madh në anët tona e në Gadishullin Ballkanik? Ç’ne ky Drini qenkërkash fati ynë, zemra jonë, pulsi ynë, gjymtyrët tona?
Pse kaltërsi e Drinit qenkërkash fati ynë i ndezur, e vorbullat e lumit famëmadh qenkërkan gërmadha e varri ynë?
Pse Drini qëndron hijerëndë mbi fatet tona njerëzore e se pavarësisht se çfarë ndodh sot, nesër e pasnesër, ky lum i gjatë veç ecën – pa u lodhur dhe pa u ndjerë.
Pse Drini është i lidhur pashmangshmërisht me emocionin tonë njerëzor me gëzimin, lumturinë, harenë, fatmirësinë, bardhësinë – e nga ana tjetër me tmerrin, lemerinë, plogështinë, harresën, mallin, plagosjen, vrasjen.
Drini është si jeta jonë e andaj jemi të lidhur pashmangërisht me këtë lum.
Drini qysh nga Ohri ku e nis udhëtimin e derisa bashkohet me Bunën në Shkodër, ecën pandërprerë, duke marrë përpara gjithçka që e gjen.
Pavarësisht se lumi has në pengesa, në vështirësi, në drunj e në hunj ai ecën duke e lënë pas ç’ka i ndodh, edhe pse merr goditje të konsiderueshme.
Po ku ngjasojmë ne, jeta jonë me Drinin? Sigurisht që ngjason, tepër madje.
Sikundër rrjedh Drini ashtu rrjedh edhe jeta jonë me fate të kryqëzuara e të panjohura, në shtigje të rrezikshme e një jete që nuk gjen rehati deri në pushimin e zemrës.
E kësisoj ne, jeta jonë është si Drini ynë, herë e ngazëllyer në stërkala e herë me fishkëllima e vorbulla thithëse.
Ne bijtë e Drinit bëjmë nga një hap për çdo ditë. Ne shembim botë, luftojmë dragonj flakadanë, këpusim mishtë, ngadhënjejmë ëndrra, për liri e mirëqënie, goditemi, çohemi sërish, rrëzohemi dhe rivazhdojmë.
Ne bijtë dhe bijat e Drinit ndryshojmë nga lumi vetëm në atë se ky lum mbart pavdekësinë e ne të gjithë jemi vdekatarë.
Por edhe se lumi vdes, shuhet kur derdhet në Bunë e se përfundon në det së bashku me ujërat e lumenjve të tjerë.
Nëse nuk jemi lum, atëherë secili prej nesh është pikë uji e këtij lumi e se secili derisa të shuhet përballet me sfida, rebeshe, krisje, tensione, kriza, depresione, e gjithëçfarë sëmundjesh a murtajash.
E pra, Drini është si vendi ynë dhe ne si piklat e tij. Drini sikundër Dibra në mos janë këtu qysh prej formimit të tokës.
Ne jemi udhëtarë të përkohshëm të një udhëtimi çmendurak, aventuresk, që s’dihet sesi e ka fundin e vet.
Po qe se piklat metaforikisht ne bijtë e bijat e këtij Drini e nisin udhën kristal dhe se edhe pengesat rrugës të lënë po kristal Drini do krenohej.
Pra, nëse në udhëtimin e jetës tënde, po qe se do të jesh i pastër kristal, tiu kesh shërbyer njerëzve ndershmërisht e me drejtësi, Dibra do të ishte krenare me ty dhe e kundërta: nxirja ta bën fundin e hidhur.
Në fund të rrugëtimit secilit prej nesh një prehje e përhershme na pret.
Nderimi, respekti, e mirënjohja sigurt do të jetë në raport me atë sesa pastër e kreve udhëtimin e jetës, e se kristali do ta ketë qiellin e kaltëruar, kurse zezonja më tepër do të ishte barrë për tokën e vendin.
Përpiqu të bëhesh Kristal i jetës tënde. Respekti, nderimi, e mirënjohja në jetë ta rrisin famën e mirësisë, kurse mendjemadhësia e veprat e këqija ta damkosin fundin tënd.
Rrugëtimi për secilin nuk është i lehtë, por mbushur me peripeci, ankthe, pengesa, vështirësi, lodhje, strese, probleme.
Në mund të durosh të gjitha ndjesitë e hidhura; të sillesh drejt edhe kur ndaj teje sillen padrejtësisht e në nivel të të padrejtës të mos biesh, lavdia do të të përkasë.
Në mundsh që qetë e racional të qëndrosh e në parime krejt pa u përkulur, kurrë pa i prekur lirinë tjetrit pa vrarë, pa prerë, pa dhunuar, pa cënuar, por në heshtje të qëndrosh e i përulur të sillesh, respektin e njerëzve do ta kesh.
Në mundsh që zemrat e tradhëtuara ti qetësosh, të varfërin ta ndihmosh, të pangrënin ta ushqesh, njeriun me lëkurë të bardhë a të zezë njëlloj ta respektosh; në mundsh të harrosh kur të tjerët ferrin ta bëjnë, të largohesh kur e ndjen të keqen e krejt pa folur të qëndrosh, emri yt më lart e për mirë do të përmendet.
Sepse fundja nëse në këtë jetë në tokë të përkohshme iu bën mirë njerëzve, dije se ata të mirën do të ta kujtojnë e do të të nderojnë.
E kundërta është se emri yt nam të madh zemërkeqi do të ketë.
Bëj mirë për veten, emrin tënd, komunitetin, të prekësh zemrat e njerëzve që duan dashuri, sepse kështu edhe bir a bij i denjë i Drinit do të jesh!