Pas një takimi mes presidentit të Bangladeshit, udhëheqësve ushtarak dhe studentëve, Muhamad Junus, laureati i çmimit Nobel është caktuar si udhëheqës i qeverisë së përkohshme. Protestat në Bangladesh nisën në fillim të korrikut kundër kuotave të punësimit në shërbimin civil e që quan në dorëheqjen dhe largimin nga vendi të kryeministres Sheikh Hasina.
Laureati i çmimit Nobel, Muhammad Junus do të udhëheqë me qeverinë e përkohshme të Bangladeshit. 84 vjeçari, armiku i vjetër politik i kryeministres së rrëzuar Sheikh Hasina është caktuar si udhëheqës i përkohshëm një ditë pasi ish-kryeministrja u largua nga vendi pas disa javë protestave të përgjakshme që e detyruan atë të dorëhiqet.
Studentët, të cilët u prinë protestave masive kanë refuzuar një qeveri të udhëhequr nga ushtria dhe nxitën profesorin Junus që të udhëheq me qeverinë e përkohshme.
Vendimi për emërimin e laureatit Junus për t’i prirë qeverisë së përkohshme u mor pas një takimi mes presidentit të Bangladeshit Mohammed Shahabuddin, liderëve ushtarak dhe liderëve studentor.
“Kur studentët që sakrifikuan aq shumë po më kërkojnë që të ndërhyj në këtë moment të vështirë, si mund t’u them jo apo t’i refuzoj”, ka thënë Muhammad Junus.
Protestat në Bangladesh shpërthyen në fillim të korrikut me kërkesat e studentëve për t’i hequr kuotat në punësimet e sektorit civil, por të njëjtat ndërkohë u shëndrruan në një lëvizje më të gjerë anti-qeveritare.
Muhammad Junus, sipërmarrës, bankier, ekonomist dhe udhëheqës i shoqërisë civile ka fituar çmimin Nobel në vitin 2006 për themelimin e Bankës Grameen dhe fillimin e koncepteve të mikrokredive dhe mikrofinancave.