Ballkani i Hapur i Shqipërisë së mbylllur në zhvatje e korrupsion

Ballkani i Hapur i Shqipërisë së mbylllur në zhvatje e korrupsion

Nga Sonila Meço

Ndërsa na zhdëpin me retorikë, akuzojnë në eter, skërmisin dhëmbë e ndërtojnë cirkun e radhës (tani edhe pa bukë fare) Serbia po i mbaron kilometrat e autostradave që lidhin vendin me kufijtë kroatë, hungarezë, bullgarë, malazezë, maqedonas, kosovarë e boshnjakë; qytetet kryesore me njëra-tjetrën…me gjasë në 2025, maksimumi 2030 Serbia është shtet me autostrada, me shpejtësi të ngadoshme në rrjet 100 km/h. Fondet e Procesit të Berlinit i thithi me çdo projekt infrastrukturor.Ndërkohë Shqipëria, që ka infrastrukturën më të dobët në rajon dhe në Europë, me nevoja të mëdha për financim, jep me koncesione PPP, me kosto shumfish, rrugë të mbetura në vend.Në vitin 2014 Bashkimi Europian mori një vendim me rëndësi strategjike për Ballkanin. Deri në 2030-ën rajoni do të lidhet me 9 korridoret rrugore më të rëndësishme europiane nëpërmjet autostradës Adriatiko – Joniane.

Kjo autostradë, që nis në Trieste, kalon në Kroaci, Malin e Zi, Greqi dhe më tej lidhet me portet e Stambollit, do t’i bashkëngjitet rrjetit europian në Itali, në Korridorin e Mesdheut, që nis në Spanjë e përfundon në Hungari. Kujdes! Serbia nuk bën pjesë këtu, por po i përfundon autostradat e hekurudhat e saj me një super ndërlidhje kufijsh.
Ne, që jemi pjesë e korridorit strategjik, i konsideruar i tillë, sepse të gjitha vendet ku aksi kalon nga Spanja në Greqi, ofrojnë pjesët më të bukura të kulturës, gjeografisë dhe turizmit të Europës, duke u lidhur me Korridorin e Mëndafshit në portet e Stambollit…pra ne s’jemi kurrkund. Projekte të tëra lehtësisht të financueshme nga Procesi i Berlinit dhe bankat ndërkombëtare nuk janë realizuar, ose ato lote të dorëzuara si projekte janë dhënë me PPP duke shumfishuar kostot dhe afatin e mbarimit.Deri në Kroaci, thuajse korridori Adriatiko-Jonian është i plotë, kurse nga Mali i zi dhe në Shqipëri, infrastruktura duhet të ribëhet gati në 70% nga e para.

Në Mal të Zi puna vijon, me ritëm, mbyllet edhe një tjetër autostradë Podgoricë-Danilovgrad (për dy vjet e realizuar) e po me të njëjtin ritëm Tuz-Podgoricë.
Ndërkohë në Shqipëri për 2 vjet nuk po ia dalin dot Unazës së Re. Jo vetëm, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, Shqipëria është duke u dalldisur me ca PPP, që nuk ia pranon asnjë institucion ndërkombëtar, me kosto shumfishe nga projekti, asnjë autostradë drejt kufijsh (të fundit qysh në mandatin e dytë të PD-së), duke premtuar për çdo fushatë autostrada me segmente Milot-Balldren, Milot-Thumanë, Thumanë-Kashar e në vend të tyre ndërtohet Tuneli i Llogarasë, rruga ku në një përqindje të madhe nuk është e përshkueshme me më shumë se 50 km/h. Dhe do qe zgjidhur me kohë “halli” i Rinasit, për të cilin në vitin 2022 jo vetëm nuk ka autostradë e hekurudhë, por u gjet një rrugë e sakatuar dhish për devijim trafiku.Do t’i rikthehen sërish dogmave të Ballkanit të Hapur, se “ashtu osht nji muhabet”, por kujtoni:
Serbia, nismëtare e idesë i mbyll për tre vjet autostradat kufitare e ato ndërqytetëse, të mirfinancuara, pa kosto shtesë, duke thithur pjesën më të rëndësishme të fondeve të procesit të Berlinit.Shqipëria?
Shiheni vetë grafikun e mëposhtëm të shumës totale të projekteve të përfituara nga çdo vend i rajonit në kuadër të Axhendës së Ndërlidhjes, grante e financime të BE-së. Ky është Ballkani i Hapur i Shqipërisë së Mbyllur në korrupsion, vjedhje, babëzi, zhvatje. Pse e them këtë?Në vitin 2014, BE mori një vendim më rëndësi strategjike për të zgjatur korridorin e Mesdheut në Ballkan, që fillon në Trieste, Itali dhe përfundon në Kallamata, Greqi me destinacion Portin e Pireut. Rëndësia e kësaj rruge të re rritet ndjeshëm, pasi ajo është rruga më e shkurtër që lidh Triesten me Pireun, në krahasim me variantin aktual Trieste – Beograd – Pire. Ndërsa lidhja e kësaj rruge në Greqi me autostradën Egnatia Igumenicë-Stamboll, shkurton distancën ndërmjet Tiranës dhe Stambollit. Pra Serbia duhej të na shihte me zili…sepse korridori Adriatiko – Jonian në të ardhmen do të jetë pjesë e rrjetit europian “Core” që parashikon zhvillimin e një korridori ekonomik me hekurudhë dhe gazsjellës. BE ka në projekt të zhvillojë edhe hekurudhën në të njëjtën linjë me rrugën.Nuk po i hyj këtu rëndësisë së Portit të Durrësit, që në vend që t’i përshtatej kësaj strategjie po vërtitet në destinacione fantazmagorike.Gjykoni vetë për nevojën e Ballkanit të Hapur, kur kemi këto projekte të “Europës së Hapur” me super infrastrukturë.