20 July
Gjykata e Apelit sot duhet të shqyrtojë ankesat e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) për paraburgimin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish ministres së Kulturës, Elizabata Kançeska Milevska dhe ish sekretarit të Qeverisë, Kiril Bozhinovski.
Gjykatësit e Apelit sot në seancë publike do të shqyrtojnë ankesat e PSP-së, për akuzat në rastin ‘Titanik” për mashtrime zgjedhore dhe “Tenderë” për prokurimet në Muzeun e VMRO-së, por edhe ankesat e të dyshuarve të cilat kërkojnë që t’u kthehen pasaportat.
Aktakuza në rastin “Titanik” përfshin 20 persona, të akuzuar dyshohen për keqpërdorim të materialeve për mashtrime zgjedhore, shkatërrim të materialit zgjedhor, shkelje të lirive të votuesve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kurse në rastin “Tender”, e akuzuar është ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska dhe edhe dy persona tjerë për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar.

