Filloi aksioni ekologjik “Fundjava Gjenerale 2025” organizuar nga Men End Mounten në bashkëpunim me disa kompani partnere dhe shoqata qytetare, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në këtë aksion janë përfshirë qindra aktivistë për të pastruar Maqedoninë e Veriut, raporton SHENJA.
Në shënimin e fillimit të aksionit ekologjik morën pjesë edhe Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, Kryetari i BNJVL-së, kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgievski, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu si dhe përfaqësues të disa kompanive dhe shoqatave që mbështesin aksionin.
“Sistemi arsimor i orienton të rinjtë që të kujdesen për mjedisin në të cilin jetojnë. Programet mësimore në të gjitha klasat përmbajnë elementë që rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet e ndotjes dhe inkurajojnë veprimet parandaluese. Por me më shumë partnerë nga institucionet dhe drejtoritë arsimore, si dhe me iniciativa të mira që njihen lehtësisht, edukimi ekologjik mund të avancohet vazhdimisht”, kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe ShkencësVesna Janevska në fillimin e fushatës vjetore kombëtare të mbledhjes së mbeturinave “Fundjava Gjenerale 2025” në Ujësjellësin e Shkupit, organizuar nga Men End Mounten në bashkëpunim me disa kompani partnere dhe shoqata qytetare, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Është kënaqësi për mua që si Ministri, kohët e fundit firmosëm Memorandum bashkëpunimi me Men End Mounten për të mbështetur këtë aksion masiv ekologjik dhe në komunikim me shkollat për të përfshirë sa më shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Ky është kontribut drejt ndërtimit të brezave të përgjegjshëm ndaj mjedisit”, theksoi Janevska.
Gjithashtu ministrja shtoi se të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ne duhet t’i inkurajojmë ata që në moshë të re të jenë të përgjegjshëm ndaj mjedisit, në mënyrë që, siç potencoi ajo, të zvogëlojmë sfidat dhe rreziqet e mundshme me të cilat do të përballeshin në të ardhmen, ndërsa të cilat janë ajri i ndotur, toka e ndotur, uji etj., të cilët ndikojnë në shëndetin e njeriut.