Gazetari Baton Haxhiu ka shkruar sërish një opinion, që tregon lidhur me pyetjet që ju parashtruan pasi u mor në intervistim në cilësinë e dëshmitarit lidhur me një deklaratë që kishte dhënë në emisionin ‘Pressing’.
Haxhiu në opinionin editorial të publikuar në Albanian Post, pretendon se atij iu parashtruan pyetje të tilla, si: A e njeh Albin Kurtin?, A e dini ku e ka shtëpinë?
“Mesa duket, një fjali televizive tashmë konsiderohet kërcënim strategjik për stabilitetin kombëtar. Dhe aty fillon operacioni heroik i mbrojtjes së liderit: “A e njihni Albinin?” “A e dini ku banon?””, deklaron Haxhiu.
“Madje, në një moment mendova edhe për vetë Albin Kurtin.
Sa e trishtë duhet të jetë për një kryeministër të mbrohet nga kjo lloj devotshmërie institucionale.
Të kesh institucione që, në vend se të mbrojnë ligjin, përpiqen të mbrojnë figurën tënde nga analizat politike dhe figurat letrare”, vijon shkrimi i tij.
Gazetari Baton Haxhiu ishte intervistuar dje nga dy hetues në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, lidhur me një deklaratë të bërë rreth një javë më parë në emisionin Pressing në T7.
Në një opinion të shpërndarë tek Gazeta Express, dje Haxhiu ka thënë se intervistimi ishte autorizuar nga prokurori Arianit Salihu, duke e cilësuar këtë si shndërrim të një analize politike në çështje procedurale.
Në paraqitjen e tij në Pressing në T7, ai kishte deklaruar se qytetarët duhet “ta heqin qafe” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke zgjedhur mes dy opsioneve: ose t’i japin 80 mandate në Kuvend, ose ta largojnë nga qeverisja.
“Ne kemi humbur shumë në këtë vend dhe vazhdojmë të merremi me procedura, gjë që është për të ardhur keq.
Qytetarët duhet të përgatiten për dy alternativa: ose t’i japin atij 80 vota, ose të tregojnë se nuk është i gatshëm për të qeverisur, sepse kjo situatë nuk ka më kuptim”, kishte deklaruar ai. /Insajderi.


