Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, po qëndron në Beograd, nga ku tha se ajo që i është konfirmuar avokatit të familjes së Faton Hajrizit, Arianit Koci, është se Serbia do ta dorëzojë trupin e personit të vrarë e që dyshohet se është i Faton Hajrizit.
Mujku tha se kjo është e sigurt nga të gjitha instancat me të cilat ka biseduar edhe dje edhe sot avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci.
“Ajo që dihet përveç faktit se Serbia do ta dorëzojë trupin e Hajrizit i cili ndodhet në morgun e Spitalit të Lloznicës, nuk është e sigurt akoma se si do ta pranojë familja.
Të njëjtit nuk do të kenë mundësi ta konfirmojnë nëse është Faton Hajrizi, pasi kufoma do t’iu dorëzohet e mbyllur hermetikisht dhe do të mund të hapet vetëm kur trupi të kalojë në Republikën e Kosovës”.
“Deri tani kemi pasur informacione që kanë ardhur nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor që më 22 korrik, gjurmët e gishtërinjve të Faton Hajrizit, që i kanë marrë autoritetet në Beograd, përputhen me ato që i kanë marrë nga autoritetet e Kosovës”, tha Mujku, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Mujku tha se avokatit Koci i është kërkuar që nëna e Faton Hajrizit ta sjellë pështymen e saj për ta verifikuar nëse personi i vrarë është Faton Hajrizi, por që sipas saj, nënës së Hajrizit nuk do t’i lejohet që ta shoh dhe ta konfirmojë nëse është trupi i djalit të saj.
“Serbia sot gjatë ditës i ka kërkuar avokatit Koci që ta sjellë edhe pështymën e nënës së Faton Hajrizit.
E njëjta duhet që të vijë në stacionin më të afërt policor në Serbi, e që i bie të jetë ai në Vranjë dhe për ta verifikuar nëse është Faton Hajrizi.
Mirëpo, as nënës nuk do t’i lejohet që ta shoh dhe ta konfirmojë nëse është trupi i djalit të saj”, tha ajo.