Partia ZNAM ka kritikuar përfaqësuesit e VLEN-it për, siç thotë, krijimin e euforisë politike dhe shpalljen e fitoreve historike lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në drejtësi. Sipas ZNAM-it, Qeveria ka miratuar vetëm informacionin për nevojën e marrjes së një mendimi profesional nga Komisioni i Venecias, por ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar.
“Lëvizja ZNAM konsideron se është e papërshtatshme krijimi i euforisë politike dhe shpallja e fitoreve historike nga përfaqësuesit e VLEN-it, në një kohë kur Qeveria në fakt ka miratuar informacionin për nevojën e marrjes së një mendimi profesional nga Komisioni i Venecias për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor.
Miratimi i informacionit për nevojën e një mendimi profesional nuk do të thotë se është marrë një vendim përfundimtar, e as se është bërë ndonjë ndryshim në kornizën ligjore dhe mënyrën e funksionimit të sistemit gjyqësor. Përkundrazi, mendimi i kërkuar nga Komisioni i Venecias duhet të sigurojë bazë profesionale dhe juridike për veprimet e mëtejshme, duke respektuar Kushtetutën, ligjet, sigurinë juridike dhe standardet evropiane”, thonë nga ZNAM.
Nga kjo parti shtojnë se çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në sistemin gjyqësor, janë tepër serioze për t’u shndërruar në marketing të përditshëm politik, pa u shqyrtuar paraprakisht të gjitha aspektet juridike dhe pa u marrë mendimet përkatëse profesionale.
Prandaj, sipas ZNAM-it, në vend të shpalljes së parakohshme të fitoreve dhe krijimit të pritshmërive te qytetarët, nevojiten përgjegjësi, qasje institucionale dhe respektim i procedurave ligjore.
“Për ZNAM-in, sundimi i ligjit, kushtetutshmëria dhe barazia para ligjit nuk janë çështje pazaresh politike, por parime themelore mbi të cilat duhet të funksionojë shteti”, thuhet në reagimin e partisë ZNAM.



