Kryetari i Komunës së Kumanovës dhe lideri i partisë në pushtet ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka ngjallur reagime të ashpra në opinion për shkak retorikës së ashpër kundër zgjidhjes ligjore për provimin e jurisprudencës në shqip.
“ZNAM asnjëherë nuk do të mbështetë as si pjesë e pushtetit, madje as nga pozita e opozitës, çfarëdo zgjidhje për provimin e jurisprudencës e cila është kërkesë e njëanshme, pasi i njëjti do të jepet vetëm në gjuhën maqedonase ashtu siç shkruhet në ligj”, deklaroi Maksim Dimitrievski më 1 nëntor 2026.
Dimitrievski i cili sot është ndër më të zëshmit kur bëhet fjalë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, dikur ishte ndër më të zëshmit e konceptit qytetar të LSDM-së “Një shoqëri për të gjithë”.
“Në Komunën e Kumanovës, ku kam nderin të jem, qëndroj me përfaqësues të 13 partive politike, katër përkatësi etnike, flasim në tre gjuhë të ndryshme në seancat e Këshillit në përdorim zyrtar dhe asnjëherë deri tani nuk ka pasur asnjë problem”, tha Dimitrievski më 30 maj 2015.
Por sot, Dimitrievski shqiptarët i quan një grup i vogël i qytetarëve që kërkojnë provimi të jepet në shqip, që sipas tyre, komplikon procedurën për komunitetet e tjera.
“Kjo nuk e thjeshtëzon punën, kjo e thjeshtëzon punën vetëm për një grup të vogël të qytetarëve që janë pjesë e shtetit, por plotësisht e komplikon tërë procedurën për të gjithë të tjerët”, tha Dimitrievski më 6 nëntor 2026.
Dimitrievski ka qenë i zëshëm edhe kur është bërë fjalë për përdorimin e flamurit shqiptar. Sipas tij nuk është problem përdorimi, por flamuri shqiptar nuk guxon të vendoset në tavolinën ku zhvillohen takime zyrtare.
“Shihni. Ndryshim të ligjit kërkuan ata, nuk kërkuam ne maqedonasit. Ne vetëm se ishim fisnikë të lejojmë të drejta shtesë, të ndjehen edhe të tjerët të ndihen se janë në vendin e tyre dhe se i përkasin atij. Por nëse e vendos në tavolinë, ku do të ma lëndosh flamurin tim, atëherë kemi problem”, tha Dimitrievski më 9 nëntor 2026.
Një përplasje të ngjashme me VLEN-in, Dimitrievski e kishte pasur edhe në vitin 2024, kur në një takim të ministrave shqiptarë në tavolinë ishte vendosur flamuri shqiptar. Asokohe, Dimitrievski kishte deklaruar se, nëse rasti përsëritej, ZNAM-i do të largohej nga Qeveria. Megjithatë, ai ishte tërhequr nga ky qëndrim.
“Do të thotë se do të qëndroni në Qeveri?
Absolutisht nuk do të dalim.
Pra kemi ndryshim të qëndrimit? Ne hymë në Qeveri për të zbatuar politika që i premtuam qytetarëve të cilët na mbështetën. Unë asnjëherë nuk ndryshoj qëndrim”, tha Dimitrievski më 21 tetor 2024.
Të njëjtën kartë politike po e përdor edhe sot, duke kërcënuar me largim nga Qeveria në rast se mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo qasje ndoshta merr një kuptim më të qartë nëse merret parasysh arsyeja e përfshirjes së ZNAM-it në koalicionin qeverisës.
“Kemi hyrë në Qeveri vetëm për një aspekt. Që t’i mundësohet shumicë bllokut politik maqedonas që të mos mundet të shantazhohet dhe të shfrytëzohet metoda e BDI-së”, deklaroi Dimitrievski më 29 maj.
Pavarësisht deklaratave nacionaliste dhe qasjes “disiplinuese” ndaj shqiptarëve, Izet Mexhiti dhe VLEN nuk e patën problem që në tetor të vitit 2025 t’i shkojnë Maksim Dimitrievskit në Kumanovë, për t’i dhënë mbështetje elektorale. /Alsat.mk



