Nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli në emisionin “Debat në Shenja” theksoi se nuk sheh ndonjë ndryshim rrënjësor në fushën e drejtësisë mes ministrit aktual të Drejtësisë, Igor Filkov, dhe paraardhësit të tij, Jeton Shasivari.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Drejtësisë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Zendeli tha se, sipas saj, asnjë ministër tjetër nuk do të kishte marrë guximin të paragjykonte një vendim gjyqësor pa u shpallur ende. Ajo e cilësoi deklaratën si çështje që “hap jashtëzakonisht shumë dilema”.
“Kjo do t’i mbahet mend gjatë, sepse ai dha një deklaratë të tillë që hap jashtëzakonisht shumë dilema, sepse unë personalisht konsideroj se nuk i duhej, sidomos në mënyrë aprioristike akoma pa u sjellur aktgjykimi. Po sikur të kishte qenë aktgjykimi lirues, po sikur të ishte dënues”, tha Zendeli.
Ajo tha se deklarata e ministrit ishte e papërshtatshme, veçanërisht për shkak se aktgjykimi ende nuk ishte shpallur, duke ngritur pyetjen se si do të interpretohej qëndrimi i tij në rast se vendimi do të ishte lirues apo dënues. Ajo shtoi se deklarata, sipas saj, ishte e ngjashme me qëndrimin e ministrit të Drejtësisë të Qeverisë së Beogradit.
“Nuk dua të hyjnë në detaje çka ka thënë, por në mënyrë aprioristike, të vendosesh në një pozitë të atillë dhe të flasësh si megafon i Qeverisë së Beogradit mendoj se nuk i duheshte. Ajo deklarata e tij ishte shumë e ngjashme me deklaratën e ministrit të drejtësisë të Qeverisë së Beogradit”, theksoi Bilalli.



