13 Shtator 2018 / 14:08
Kryeministri Zoran Zaev mbajti fjalim para deputetëve të Parlamentit Evropian. Duke dhënë një përmbledhje të gjithë asaj çfarë ka ndodhur që nga ardhja e tij në krye të ekzekutivit, Zaev me këtë rast theksin e vuri në aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Në fjalimin e kryeministrit u përfshi edhe referendumi i 30 shtatorit, i cili sipas tij pason anëtarësimin në NATO dhe stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Zaev përmendi edhe mungesën e konsensusit politik brenda vendit. Megjithatë, i pari i ekzekutivit u shpreh optimist se me mbështetjen e BE dhe faktorit ndërkombëtarë, Maqedonia do të kalojë edhe këtë udhëkryq.
Kemi ecë para por nuk mjafton. Edhe pas 27 viteve disa ëndrra tona akoma nuk janë realizuar dhe unë nuk jam i kënaqur sepse e di se mund të bëjmë edhe më tepër. Po përballemi me konflikt të brendshëm politik, luftojmë që të mos mbetemi të izoluar nga bota. Kemi pasur konflikte edhe me fqinjët tanë dhe akoma ballafaqohemi me sfida të një vendi të ri dhe të vogël. Por asnjëherë nuk i humbëm vizionet tona dhe nuk ndaluam së luftuari për të ardhmen tonë më të mirë. Nuk do të dorëzohemi tani. Besojmë se jemi vetvetja dhe besojmë shumë në të ardhme më të mirë, si vend anëtar i bashkësisë ndërkombëtare dhe këtij Bashkimi Evropian të respektueshëm”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani pretoi mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe BE-së për Maqedoninë dhe synimet e saj euroatlantike.
Ju dhe vendi juaj sigurisht se do ta keni mbështetjen tonë me qëllim stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimorë”- tha Antonio Tajani, Kryetar i Parlamentit Evropian.
Në sallën e Parlamentit ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini e cila pasdite do të vizitojë Maqedoninë ku edhe të zhvillojë takime me kryeministrin Zaev, liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe presidentin Gjorge Ivanov. Pavarësisht numrit të vogël të deputetë Evropian në sallë, Zaev u prit dhe përcoll me duartrokitje dhe atmosferë miqësore.
Adrian Kerimi