Në kuadër të manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026”, sonte Sheshi Skënderbeu u shndërrua në arenë sportive, ku sportistët e rinj të Klubit të Mundjes Shkupi dhe klubit mysafir Ballkanec nga Shtipi zhvilluan ndeshje miqësore para një numri të madh qytetarësh dhe dashamirësh të sportit.
Gjatë mbrëmjes u zhvilluan gjithsej gjashtë duele interesante, ku mundësit e rinj demonstruan talent, përgatitje fizike, disiplinë dhe shpirt garues, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive në zemër të Çairit.
Në përfundim të aktivitetit u ndanë mirënjohje për sportistët, trajnerët dhe përfaqësuesit e të dy klubeve, si shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre në zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave sportive tek brezat e rinj.
“Vera Kulturore e Çairit 2026” vazhdon të sjellë aktivitete të larmishme sportive, kulturore dhe artistike, duke e bërë Çairin një pikëtakim të qytetarëve, të rinjve dhe talenteve nga fusha të ndryshme.


