Një 89-vjeçar është vrarë mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
I dyshuar për këtë vepër është Festim Ramadani, zyrtar policor, i cili dyshohet se ka përdorur armën e tij zyrtare.
Viktima, Sadri Sadriu, është axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Deri tani janë arrestuar dy persona në lidhje me rastin.
I dyshuari për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj, Festim Ramadani, është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ngjarja ndodhi rreth orës 19:30. Dyshohet se Ramadani, i cili nuk ishte në detyrë dhe nuk ishte pjesë e ahengut familjar, ka shtënë me armën e tij zyrtare në drejtim të viktimës, Sadri Sadriu, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas kryerjes së krimit, Ramadani është vetdorëzuar në stacionin policor të Ferizajt dhe ka dorëzuar armën e përdorur.
IPK ka njoftuar se ai është arrestuar, dhe Prokurori i Shtetit ka vendosur për ndalimin e tij për 48 orë për dyshimin e veprës penale “Vrasja e rëndë”.
Majori, Qazim Reka, ka deklaruar se polici ka vepruar jashtë detyrës së tij zyrtare dhe se motivet e ngjarjes ende nuk dihen.
“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.
Po ashtu, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se janë kryer hetime dhe se një i dyshuar tjetër është arrestuar për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë”.
“Lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar sot në orët e mbrëmjes është arrestuar edhe një i dyshuar. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.