Ilija Dimovski, Antonio Milloshoski, Daniella Rangellova, Panço Minov, Zoran Ilioski, Vlladanka Aviroviq, Dimitar Stevananxhija, Bllagica Llasovska, Dragan Danev dhe Dragan Cuklev janë deputetët e VMRO DPMNE-së që tani e tutje do të kenë mundësinë që bllokojnë çdo pikë të rendit të ditës në Kuvend pasi që të gjithë janë kryetar të grupeve parlamentare. VMRO DPMNE ka njoftuar kryetarin e Kuvendit se ata kanë formuar dhjetë grupe parlamentare me nga pesë deputet, dhe një me gjashtë, kështu që çdo kryetar i grupit të veçantë parlamentar do të ketë mundësi që të flasë nga 15 minuta në foltore. Do mund në çdo kohë të paraqesë vërejtje procedurale që zgjasin tre minuta, dhe do të mund të bëjë kërkesa për pauza.
VMRO DPMNE-ja e dha këtë njoftim nëpërmjet brifingut me gazetarë por nuk u deklarua në kamerë lidhur me këtë risi. Megjithatë kjo taktikë shkaktoi reagime tek të gjithë partitë në Kuvend. LSDM, dhe BDI vlerësojnë se VMRO DPMNE-ja nuk duhet të keqpërdor këtë mënyrë për të bllokuar punën e Kuvendit, ndërsa Lëvizja BESA tha se nuk përzihen në taktikat e partive të tjera. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev tha se ky është një plan për bllokadë të qëllimshme të procese reformuese që i kemi paralajmëruar, por tha se ata do tqë gjejnë ndonjë mënyrë që tu shmangen bllokimeve të tilla pasi u bëjnë kuvendit dhe shoqirisë.
“Formimi i dhjetë grupeve parlamentare nga ana e VMRO DPMNE-së opozitare nuk është asgjë përpos një bllokadë e Kuvendit dhe paraqet pamundësim për të vazhduar procesin reformues. VMRO DPMNE po sillet me dyfytyrësi dhe papërgjegjësi. I bëj thirrje partisë që të heq dorë nga ky hap i pandërgjegjshëm i cili është në kundërshtim me interesat shtetëtore dhe të qytetarëve. Ne si grup parlamentar do ti shfrytëzojmë të gjitha mundësit për të penguar këtë qëllim të bllokimit. Shihet nga avioni se duan të bëjnë obstruksione”
Rexhail Ismaili nga BDI druan se VMRO DPMNE-ja do ta keqpërdor çështjen e grupeve parlamentare për obstruksione,por nuk pranon të bëhen paralele të bllokadës së VMRO-së me atë të Talat Xhaferit I cili shfrytëzonte mundësinë për fjalime të gjata për të mos lëshuar foltoren dhe lejuan votimin e ligjit për branitellat. Ismaili tha se ata kanë patur kauzë dhe kjo I arsyeton të gjitha.
“Kur keni të drejtë morale, ligjore dhe kushtetuese ju bëni gjithçka që është e mundur që ta pengoni. Ka qenë e arsyeshme jo vetëm për deputetin e atëhershëm dhe kryetarin e grupit parlamentar, tani kryetar, por ne gjithë deputetët e asaj përbërje kemi qenë të përgatitur të vazhdojmë atë rrugë dhe ta pengojmë jo me muaj por me vite sjelljen e atij ligji antikushtetues”
Fadil Zendeli nga Besa tha se ata nuk dëshirojnë të përzihen në mënyrat e veprimit të partive të tjera pasi në demokraci secili ka të drejtë të veprojë si i konvenon.
“Edhe pse BESA ka kërkuar përgjigje nga Xhaferi, ai veten e ka shpallur jokompetent për këtë çështje”. Kërkojmë përgjigje publike nga Xhaferi se kujt duhet t’i drejtohen për këtë çështje”
Deri tani asnjë grup parlamentar ose koalicion nuk ka patur një numër kaq të madh të grupeve parlamentare. Më së shumti ka patur LSDM-ja në vitin 2006 edhe atë gjashtë grupe parlamentare. Taktizimi i VMRO DPMNE-së e prolongoi shkarkimin e Marko Zvrlevskit edhe sot, pasi që shumica e deputetëve të kësaj partive ishin paraqitur për fjalim në pikën për punën e avokatit të popullit e cila ishte pika e tretë, në mënyrë që të pamundësohet ardhja te pika e pesët e cila është për shkarkimin e kryprokurorit.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

