VMRO-DPMNE-ja i ka kërkuar kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, t’ua dorëzojë institucioneve kompetente informacionet dhe provat lidhur me dyshimet për parregullsi në blerjen e helikopterëve.
Sipas partisë, Filipçe ka ngritur dyshime që lidhen me ish-ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, aktualisht deputete dhe pjesë e platformës “12.05”. Pretendimet kanë të bëjnë me një kontratë për të cilën, sipas deklarimeve të tij publike, kishte një diferencë prej 37 milionë eurosh.
Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që Filipçe të sqarojë kur i ka marrë këto informacione, pse nuk ka folur më herët, çfarë dokumentesh disponon dhe kush e ka nënshkruar kontratën.
Partia vlerëson se Prokuroria Publike duhet t’i shqyrtojë pretendimet dhe të përcaktojë nëse ka bazë për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, VMRO-DPMNE-ja e fton Filipçen të raportojë çdo rast tjetër për të cilin ka informacione apo dyshime për shkelje ligjore, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi për shpenzimin e parave publike.



