Ka ose jo bazë për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike nga radhët e Alternativës, Admirim Aliti, u diskutua përsëri gjatë vazhdimit të debatit në Kuvend. Debati hyri në javën e dytë, ndërkohë që deri në shkarkimin e plotë të të tre ministrave të partisë së Afrim Gashit dhe në emërimin e ministrave të rinj nga radhët e Aleancës për Shqiptarët duket se ka një rrugë shumë të gjatë.
VMRO-DPMNE-ja u vu në mbrojtje të ministrit Aliti, duke thënë se pushteti nuk ka asnjë arsye për të shkarkuar një ministër të pakorruptuar. Kuadrot e tilla, thanë nga VMRO-DPMNE-ja, flasin për cilësinë e partisë së Gashit. Me lëvdatat e VMRO-së u pajtuan deputetët e Alternativës.
“Unë do të ju kuptoja nëse do të shkarkonit ministër, drejtor ose edhe zv/kryeministër nëse nuk e ka kryer detyrimin që ka, por konkretisht këtë ministër, s’mund ta kuptoj pse keni vendosur ta ndryshoni? Mos ndoshta ky ministër pse nuk ka qenë i korruptuar, ka qenë profesionist dhe ka punuar aq sa ka pasur kohë të punojë për një vit, nuk është i përshtatshëm dhe kështu me dhunë e largoni nga kabineti qeveritar?”, u shpreh Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.
“Shkarkimi brutal i ministrit, nëse bëhet për punën korrekte dhe të ndershme që e ka bërë, atëherë për ne është nderë. Më vjen keq që shkarkohen ministra të tillë. Qasja e tillë nuk është as morale dhe as evropiane. Nëse nisemi në Evropë me kështu mendësie, ta kemi të qartë dhe ta besojmë se nuk jemi të mirëseardhur”, deklaroi Safije Sadiki, Alternativa.
“Të kesh nderin dhe vullnetin, të punosh dhe të dalësh i ndershëm, pa asnjë denarë të fituar jashtë rrogës dhe të lihen pas vetes rezultate, kjo flet për cilësinë e një personi dhe për cilësinë e subjektit tuaj politik”, theksoi Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.
Deri sa debati vazhdonte, kryeministri Dimitar Kovaçevski lexonte libër dhe mbante kufje.