VLEN sonte do të prezantojë kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, si dhe programin e tij për zhvillimin e komunës. Konventa do të mbahet në ora 20:00 në shkollën fillore në Çellopek.
Nga VLEN bëjnë të ditur se Huseini do të prezantojë një planprogram që përfshin disa fusha, mes tyre infrastrukturën, zhvillimin e ekonomisë lokale, politikat për të rinjtë, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e transparencës në qeverisjen lokale.
Sipas kumtesës së VLEN-it, kandidatura e Huseinit paraqitet si pjesë e synimit të koalicionit për të zgjeruar drejtimin e komunave nga kuadrot e saj. “Me përvojën e VLEN-it në pushtetin qendror dhe në drejtimin e 10 komunave, ku janë realizuar projekte të shumta nga kuadrot e VLEN-it, synojmë që Bërvenica të bëhet komuna e 11-të”, thuhet në kumtesë.
Nga koalicioni thonë se Jakup Huseini vjen me një vizion dhe plan konkret për zhvillimin e komunës, ndërsa si një nga shtyllat kryesore të programit veçohet edhe bashkëpunimi ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror.
“Konventa e sotme shënon hapin e radhës në rrugën drejt një qeverisjeje të re në Bërvenicë, me bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror”, thuhet më tej në njoftimin e VLEN-it.



