Kuvendi ndodhet në huti para se deputetët të duhet të shkojnë në pushim vjetor. Para disa ditëve kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri, deklaroi se nëse shkon gjithçka sipas planit, atëherë deputetët do të shkojnë në pushime prej më 8 deri më 25 gusht. Por është shkarkimi i prokurorit publik Marko Zvërlevski i cili mund tu hapë telashe deputetëve. Nënkryetari i LSDM-së, Bllagoj Boçvarski deklaroi dje se nuk do të shkojnë në pushim para se të shkarkohet Zvërlevski, ndërsa kryeministri Zoran Zaev, sot deklaroi se shpreson që shkarkimi i kryeprokurorit do të ndodhë këto ditë.
“Unë pres madje, edhe para pushimit të deputetëve për shkak se në rast tjetër, kjo do të ishte banale. Mendoj se procedurat janë të qarta. Besoj në efikasitetin e Kuvendit për shkak se me të vërtetë nga efikasitetit të Kuvendit në sjelljen e vendimeve do ta afrojnë Maqedoninë më shpejtë drejt aspiratave të saj. Ndërsa një pjesë e aspiratave të saj janë kthimi i gjyqësorit të pavarur në Maqedoni, si një nga reformat më të rëndësishme të cilat qytetarët e Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë i kanë vendosur si qëllime para vetes”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Sot kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri ka mbajtur koordinim me kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk dihet konkretisht nëse është arritur marrëveshje mes partive për shkarkimin e kryeprokurorit publik. Nga ana tjetër, edhe propozim rishikimi i buxhetit të Qeverisë do të bllokojë seancën e shkarkimit të Zvërlevskit. Kryeparlamentari Xhaferri ka caktuar për nesër seancë plenare ku do të diskutohet për rishikimin e buxhetit. Nëse nuk arrihet marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, atëherë kjo seancë do të zgjasë pesë ditë pune. Çështje tjetër e cila mund të mbetet pa zgjedhur para se deputetët të shkojnë në pushim, është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Seancë kjo e cila ka mbetur në gjysmë. Por për shkak të mosmarrëveshjes mes partive parlamentare, ende nuk dihet nëse Kuvendi do të ketë tre ose pesë nënkryetarë. Partitë e Shumicës Parlamentare LSDM-BDI kërkojnë që të Kuvendi të ketë pesë nënkryetarë, ndërsa sipas VMRO-DPMNE-së mjaftojnë vetëm tre. Sipas kodit zgjedhor, kryetari i Kuvendit, deri më gjashtë gusht do të duhet të shpallë edhe zgjedhjet lokale. Por në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferri tha se afati fillestar prej 90 ditëve ka përfunduar dhe tani duhet patjetër të respektojë Kodin zgjedhor dhe ti shpallë ata në afatin e fundit të mundshëm, pra më gjashtë gusht, 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të caktuara për më 15 tetor.
Mefail Ismaili
Zaev kërkon shkarkimin e Zvërlevskit para… by tvshenjaofficial

