Gjykata Supreme e ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, me të cilin disa prej të dënuarve u ishin rritur dënimet që Gjykata Penale ua kishte shqiptuar me aktgjykimin e shkallës së parë. Rasi është kthyer për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re. Ky vendim i Supremes u prit me kritika të shumta. Prokurori shtetëror Nenad Saveski thotë se vendimet sillen në bazë të ligjeve dhe provave dhe jo nën presion dhe ndikim.
Nenad Saveski, prokuror i shtetit
“Mund ta pranoj dhe apsolutisht vlerësoj se përshtypja është e gabuar që gjykatat t’i sjellin vendimet nën presion ose ndikim. Vendimet jepen në emër të qytetarëve të RMV-së, në bazë të ligjeve dhe provave të atyre lëndëve. Vendimet e gjykatave më të larta lidhen me vendimet e gjykatave më të ulëta. Kështu që në këtë rast Gjykata Supreme nuk i ka vlerësuar aktakuzat, por vendimet e shkallës së parë dhe të dytë”.
Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se vendimi i Gjykatës së Lartë për të anuluar vendimin e aksidentit në Laskarci është zhgënjyes dhe është pasojë e “recidivizmit dhe mbetjeve” siç u shpreh, nga qeveria e mëparshme që ende veprojnë në sistemin e drejtësisë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“E shihni se si po luftojnë me të gjitha focat, po amnistojnë. Kështu ishte rasti me spitalin modular, dhe tani me Laskarcin. Kemi dhjetëra viktima, kemi shumë njerëz që kanë aftësi të kufizuara të përhershme, por për fat të keq kjo nuk është një arsye e mjaftueshme që këta pak gjyqtarë dhe prokurorë të qëndrojnë në anën e drejtësisë. Megjithatë, ata mbeten shërbëtorë besnikë të atyre që i kanë emëruar në të kaluarën”.
Përndryshe, Gjykata e Apelit në Shkup në prill të vitit 2025 ua rriti dënimet me burg disa prej të dënuarve për aksidentin e autobusit te Llaskarcë. Në mesin e të akuzuarve që morën dënim më të lartë ishte Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Turs”, autobusi i së cilës doli nga rruga. Dënimin prej katër vitesh burg, Apeli e rriti në 10 vjet. Përgjegjësi për transport në kompani, Remzi Miftari, nga gjashtë u dënua me 10 vjet burg. Dy të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, në vend të dënimeve prej pesë vitesh të shkallës së parë, u dënuan me nga shtatë vjet burg. Me aktgjykimin e shkallës së parë, i cili u shpall në janar të vitit 2024, të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg.
Aksidenti i autobusit të “Durmo Turs” ndodhi më 13 shkurt 2019, në të cilin humbën jetën 16 udhëtarë, ndërsa 38 të tjerë u lënduan.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
The post (VIDEO) Supremja shfuqizoi vendimin për Llaskarcën, rasti nis nga e para appeared first on TV-SHENJA.



