Kajsia me kajsinë, limoni me limonin, kumbulla me kumbullën – kështu e shpjegoi kryeministri Hristijan Mickoski dallimin mes çmimit të derivateve dhe fuqisë blerëse. Pyetjes së TV SHENJA nëse derivatet janë vërtetë të lira për qytetarin e RMV-së, duke marrë parasysh pagën mesatare dhe fuqinë blerëse , ai iu përgjigj se çmimi i derivateve duhet krahasuar me çmimin e derivateve, e jo me fuqinë blerëse. Ndërkohë, pikërisht kjo është ajo që tregon se sa e rëndë është një shpenzim për xhepin e qytetarit. Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes në fjalë tha se e gjithë bota derivatet I blen nga I njejti vend dhe se çmimi është I njejtë për të gjithë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kur bleni produkt nga një vend i njejtë atë nuk mund ta krahasoni me fuqinë blerëse të qytetarëve sepse ajo është e njejtë sikur të krahasoni kajsi me limonë dhe të thoni se ajo është e njejtë, nuk është e njejtë, lloj tjetër i pemës është njëra, lloj tjetër tjetra. Por ajo që është e rëndësishme për ne është se, sa i përket ngarkesës që shteti vendos mbi çmimin e benzinës, ajo është më e ulëta. Dhe fakti që është më e ulëta është i padiskutueshëm, sepse akciza jonë, për shembull, për dizelin është 15,5 denarë ndërsa në vende tjera ajo është 1 euro, këtu shihet se si sillet shteti për mirëqenien sociale në shoqëri. Ne mundemi të krahasojmë kajsinë me kajsinë, limonin me limon dhe kumbullën me kumbull, nuk mundemi një pemë me një pemë tjetër”.
Kryeministri ditë më parë pati deklaruar se RMV ka derivatet më të lira në rajon dhe Europë. Rritjet e fundit të çmimeve të së njejtës janë bërë të pa përballueshme për qytetarët e vendit.
Edhe pse çmimi për litër në vend duket më i ulët krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, analiza e fuqisë blerëse tregon një realitet tjetër: pesha reale e karburantit në buxhetin familjar është ndër më të lartat në Evropë. Me çmimin e ri prej 1,64 €/L dhe pagën mesatare neto prej 772 €, mbushtja e një rezervuari standard prej 60 litrash në Maqedoninë e Veriut kushton 98,40 €, që përkthehet në 12,74% të pagës mestare mujore neto.
Në bazë të të dhënave të bilancit të çmimeve dhe pagave mesatare në vende të tjera, për një qytetar të Maqedonisë së Veriut, mbushja e rezervuarit peshon dy herë më shumë sesa për një qytetar të Sllovenisë dhe mbi katër herë më shumë se për një qytetar në Austri apo Zvicër.
Medina Ajeti /SHENJA/




