Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin “Llotaria Shtetërore”, në të cilin tetë persona akuzohen për keqpërdorime në ndërmarrjen shtetërore, në vlerë prej 9,7 milionë eurosh. I akuzuari i parë në këtë rast, ish-drejtori i Llotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, pas 21 muajve në arrati, sot për her të parë u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dhe u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” që i ngarkohet.
Gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevska konstatoi se me këtë nuk vlen më vendimi i marrë në seancat e mëparshme që të akuzuarit t’i gjykohej në mungesë.
Përveç tij, në këtë lëndë janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimitrovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes – Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdi.
Se nuk ndihet fajtor sot u deklarua edhe i akuzuari i tetë, Bashkim Avdi, i cili nuk e kishte bërë këtë në seancën e kaluar, pasi kishte kërkuar përkthimin e aktakuzës dhe provave në gjuhën e tij amtare, shqipe. Më herët, në seancën e kaluar, se nuk ndihen fajtorë ishin deklaruar edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimitrovski, si dhe katër ish-anëtarët e tjerë të Bordit Mbikëqyrës të SHA “Llotaria”.
Ndërkohë, gjatë përcaktimit të të dhënave personale, Bajrami para gjykatës, ndër të tjera, deklaroi se ka arsim të lartë dhe se nuk posedon pasuri në emër të tij.
Pasi gjyqtarja bëri një retrospektivë të veprimeve procedurale të ndërmarra në seancat e mëparshme, për fjalën u paraqit avokati i Përparim Bajramit, Elenko Millanov. Ai para gjykatës tha se të mërkurën së bashku me klientin e tij, kanë bërë këqyrjen e materialeve të provave të Prokurorisë, pas së cilës, nga konsultimi me Bajramin, kanë konstatuar se në to nuk ka prova që ata i konsiderojnë të rëndësishme për mbrojtjen e tyre.
Millanov njoftoi se do të sigurohen edhe procesverbale nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe nga Administrata e të Ardhurave Publike. Avokati tha se sot mund t’i paralajmërojë këto prova dhe kërkoi nga gjykata që t’i evidentojë si pjesë të provave që ai, si mbrojtës, tashmë i ka dorëzuar në gjykatë.
Ndërkaq, Avokati i të akuzuarit Bojan Janev, Jordan Apostollski, kërkoi nga Prokuroria dhe gjykata që ta hedhin poshtë aktakuzën, pasi pas këqyrjes së provave, si mbrojtje nuk kanë gjetur asgjë që e inkriminon këtë të akuzuar.
JORDAN APOSTOLLSKI, AVOKAT I BOJAN JANEV
“Pavarësisht periudhës së shkurtër kohore, arrita ta analizoj materialin provues dhe përshtypja e parë është se Bojan Janev nuk e ka kryer veprën që i ngarkohet. Konsiderojmë se të gjitha konkluzionet e Prokurorisë në dispozitivin e aktakuzës janë të pasakta dhe të gabuara. Çdo përballje e mëtejshme e Bojan Janevit me këtë aktakuzë do të nënkuptonte shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Lidhur me kërkesën e tij, nga Prokuroria theksuan se ka prova të mjaftueshme që tregojnë për fajësinë e të akuzuarit Janev. Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar për 23 shtator, në orën 10:00.
Samir Mustafa /SHENJA/




