Shira të rrëmbyeshëm, erë e fuqishme dhe bubullima të shumëta, ishte kjo gjendja me të cilën u ballafaquan banorët e rajonit të rrethinës së Shkupit sot e një vit më parë. Banorët ishin të tmerruar nga ajo që po shihnin, vërshimet e mëdha u merrnin me vete gjithçka që kishin përpara vetes, duke përfshirë këtu edhe jetët e 22 personave. Nata e 6 gushtit të vitit 2016, do të mbahet mend si nata më e gjatë në jetë, ndërkaq, 6 gushti do të mbetet datë e errët në kalendarin e banorëve të Hasanbegut, Stajkovcës, Smillkovës, Haraçinës dhe Straçincës.
Këtë natë, të gjithë këta banorë luftonin për jetët e tyre, ndërkohë që ata i kishte kapluar një frikë deri në palcë, rreth asaj se çfarë po ndodh me fatin e të afërmve të tyre, bashkëqytetarët e tyre. Askush nuk e dinte se a ka viktima, sa persona janë zhdukur dhe kur do tu ofrohet ndihmë atyre, pasi edhe ekipet e para policore dhe ushtarake arritën me rreth katër orë vonesë, për të kërkuar banorët e bllokuar nëpër shtëpi dhe ata të cilët akoma nuk ishin gjetur.
Vërshimet shkatërruan shumë shtëpi, pemë, rrugë, shtylla elektrike, makina, mjete të amvisërisë dhe thuajse gjithçka tjetër. Vullnetarë të ndryshëm mblidhnin sa njerëz kishin mundësi dhe i dërgonin në vende të sigurta, por stuhia nuk ndalej. Familjet evakuoheshin të ndarë nga njëri tjetri.
Mes hutisë dhe mllefit, banorët drejtonin gishtin drejt pushtetarëve që me vite nuk i janë përgjigjur thirrjes së tyre për ndërtim të kanalizimit atmosferik.
Ekipi i Televizionit Shenja shkoi derë më derë në familje që kishin humbur një apo më shumë anëtarë të familjes, ose që tashmë flinin nën qiell të hapur. Por, asnjë ngushëllim nuk mund t’ua zbusë dhimbjen e përjetuar më 6 gusht, ku gjatë 24 orëve kishte rënë 92.9 litra shi në një metër katror.
Qytetarët e mbarë vendit të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i krizave dhe institucionet ditëve në vijim u solidarizuan në mbledhjen e ndihmave më të nevojshme për të pësuarit. Në ndihmë të banorëve të rajoneve të përmbytura erdhën edhe vendet fqinjë si dhe Turqia. Drejtoria Turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente (AFAD), Gjysmëhëna e Kuqe Turke si dhe shumë komuna të tjera të Turqisë që nga dita e parë ofruan ndihmat për rajonet epërmbytura në rrethinën e Shkupit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancë urgjente vitin e kaluar 8 gushtin e shpalli Ditë Zie.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Një vit nga fatkeqësia natyrore në Hasanbeg by tvshenjaofficial

