Vërehet se ekziston një tendencë dhe krijohet përshtypja se gjoja, punësimet përmes Balancuesit kanë qenë të pamerituara, të kundërligjshme dhe pa respektuar kriteret dhe sistemin e meritës. Kjo nuk është e vërtetë. Në çdo punësim janë zbatuar detyrimisht kriteret e përcaktuara me ligj, kushtet e parashikuara në sistematizimin e vendeve të punës, si dhe procedurat për verifikimin e profesionalizmit dhe kompetencës së kandidatëve. Kështu e ka nis fjalimin e tij prof.dr. Argëtim Saliu në debatin publik në Komisionin parlamentar për Sistem Politik, ndërsa ka kundërshtuar Ligjin për përfaqësim të drejtë, duke e cilësuar si të mangët dhe që nuk e garanton përfaqësimin e drejtë, përcjell gazeta KOHA.
“Balancuesi paraqet një mjet teknik-administrativ për zbatimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë gjatë punësimeve në administratën publike dhe nuk e përjashton sistemin e meritës. Përkundrazi, krahas përmbushjes së të gjitha kushteve ligjore dhe profesionale për punësim, të përcaktuara në nenin 31 të Ligjit për nëpunësit administrativë dhe nenet 5 dhe 6 të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, të gjitha punësimet janë realizuar përmes mekanizmit të Balancuesit”, tha Saliu, ndërsa theksoi se çështja e identifikimit etnik mbetet një nga pikat më kontroverse në propozim-ligj (neni 6).
“Ekzistojnë dilema serioze lidhur me mënyrën e përcaktimit të përkatësisë etnike, sepse zgjidhja e propozuar nuk siguron mjaftueshëm siguri juridike dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe keqpërdorime të mundshme (neni 6, paragrafi 2, ku thuhet se: ‘deklarimi për përkatësinë etnike është vullnetar’). Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut (neni 8, paragrafi 2) e njeh dhe e mbron karakterin multietnik të shtetit. Të dhënat për përkatësinë ndaj një komuniteti mund të ndihmojnë në sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve në administratën publike. Me këtë respektohet parimi i barazisë dhe forcohet besimi ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Prandaj konsideroj se përkatësia etnike ka rol të rëndësishëm dhe duhet të mbetet si deklarim i detyrueshëm”.
Sipas prof.Saliu, propozim-ligji i ri ka nevojë për një kornizë institucionale dhe për mekanizma sanksionues.
“Pas shfuqizimit të Balancuesit, është e domosdoshme të vendoset një kornizë e fuqishme institucionale dhe mekanizma të qartë sanksionues që do të garantojnë zbatimin praktik të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë. Prandaj shtroj pyetjen: Cila është arsyeshmëria e formimit të një Trupi të ri koordinues, kur tashmë ekziston një kornizë ligjore që e rregullon këtë çështje? Konkretisht, sipas nenit 5, pika 3, të Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik, metodologjinë e miraton ministri i Administratës Publike në pajtim me ministrin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Në vend të krijimit të strukturave të reja institucionale, nevojitet forcimi i mekanizmave ekzistues (neni 5, pika 3 e Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik) dhe zbatimi konsekuent i tyre, duke shmangur kështu dyfishimin e kompetencave”.
Neni 29 i Ligjit për Avokatin e Popullit, ka shtuar më tej prod.dr.Saliu, parashikon monitorimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.
“Prandaj është e paqartë pse parashihet një mekanizëm i ri (siç është Trupi koordinues në nenin 9 të propozim-ligjit), në vend që të forcohet roli i Avokatit të Popullit si institucion i pavarur i përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj. Gjithashtu konsideroj dhe propozoj që ligji të parashohë dispozita të qarta ndëshkuese për mosrespektimin e obligimeve ligjore. Sinqerisht, nuk besoj se si shoqëri kemi arritur nivelin e kulturës institucionale dhe të rregullsisë ku ligjet do të respektohen pa mekanizma ndëshkues. Përvoja tregon se pikërisht sanksionet kontribuojnë në zbatimin konsekuent të ligjeve. Si shembull e kemi Ligjin për Sigurinë në Komunikacion dhe sistemin ‘Safe City’. Prandaj konsideroj se edhe ky propozim-ligj duhet domosdoshmërisht të përmbajë sanksione përkatëse ndëshkuese”. (koha.mk)


