Interpelanca e paralajmëruar nga Bashkimit Demokratik për Integrim disa ditë më parë, për 4 ministrat të qeverisë aktuale, ka përplasur zv/kryeministrin e parë Izet Mexhiti me ish partinë e tij. Mexhiti thotë se BDI duhet ta kuptojë se në qeveri shqiptarët i përfaqëson VLEN-i dhe se është thyer miti se BDI do të jetë përjetësisht në pushtet.
IZET MEXHITI,ZV/KRYEMINISTËR I MAQEDONISËS SË VERIUT
“Duke ngritur interpelancë përpara Kuvendit për punën time, BDI po mundohet në të gjitha mënyrat të paraqitet si faktor relevant dhe të diktojë kursin politik në vend. Por, sa më shumë që mundohen ata, aq më e qartë është se qëllimi i vetëm i tyre është vetëm pushteti dhe kolltukët qeveritare. Është koha që ta kuptojnë dhe të pajtohen më në fund me faktin se shqiptarët në Qeverinë e re i përfaqëson një koalicion i ri politik, pra VLEN, ndërsa BDI, pas 22 vitesh ka kaluar në opozitë”.
Ndërkaq, kanë reagur edhe nga BDI, të cilët këto deklarata të Mexhitit i quajnë hipokrizi. Ata përmes një një kumtese thonë se Izet Mexhiti dy dekada ka mbajtur pozitat më të larta në këtë parti ndërsa sot flet për thyerjen e mitit të BDI-së, madje nuk kanë kursyer as edhe disa akuza për ish nënkryetarin e tyre.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
Për dy dekada, Mexhiti shfrytëzoi pozitat që i dha BDI – si nënkryetar i partisë, kryetar i degës së Çairit dhe tre mandate si kryetar komune – për të realizuar interesat e tij personale dhe të klanit të tij familjar. Por njerëzit nuk janë naivë. Shqiptarët e dinë mirë se Mexhiti është simbol i korrupsionit, nepotizmit dhe keqqeverisjes. Ai është fytyra e asaj që pengoi zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve në Çair dhe më gjerë”.
Në lidhje me interpelancën, nga partia opozitare maqedonase LSDM, theksojnë se nuk do ta mbështesin, pasi sipas tyre, ato nuk përfaqësojnë zgjidhje të krizës në këtë moment.
Samir Mustafa /SHENJA/