Mbrojtja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubit është distancuar dhe ka kërkuar falje për tubimin e mbrëmshëm në Çair të Shkupit, ku Grubin mbështetësit e pritën me fishekzjarre dhe bomba tymuese, pasi doli nga paraburgimi shtëpiak. Sipas tyre, tubimi ishte spontan, para shtëpisë së Grubit, pa fjalime, pa mesazhe dhe pa simbole politike.
MBROTJA E GRUBIT
“Në emër të klientit tonë, u kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që mund të jenë shqetësuar mbrëmë nga ngjarja spontane, e cila zgjati disa minuta dhe që mund të krijojë një përshtypje të gabuar në opinionin publik. Grubi nuk ka marrë pjesë në organizimin e tubimit dhe se ky tubim nuk përfaqëson asnjë qëndrim apo iniciativë të tij politike”.
Reagim lidhur me pritjen e organizuar për Grubin pati edhe nga VLEN. Ata thonë se Grubi çfarëdo pazari të bëjë, sado që t’i vërë në shërbim lidhjet e vjetra të BDI-së në drejtësi dhe skemat e nëntokës, ai patjetër do të përballet edhe gjatë me mëkatet e tij të pushtetit.
VLEN
“Pavarësisht teatrit që ia organizuan nja dhjetë besnikë me fishekzjarre tifozësh, fytyra e trembur dhe e zbehtë e “kingut” flet shumë, edhe pa e hapur gojën. Edhe pse Bujar Osmani, në një intervistë, u përpoq t’i lëpinte ato që kishte pështyrë për Artan Grubin gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kjo nuk mjaftoi. U desh të ulej edhe më poshtë. Nga ish-shef i diplomacisë, përfundoi si tifoz i një njeriu të listës së zezë të SHBA-së”.
Grubi ditën e djeshme doli nga paraburgimi shtëpiak, pasi Gjykata Themelore Penale ia hoqi këtë masë për shkak të skadimit të afatit ligjor. Lirimi i tij u shoqërua me fishekzjarre e bomba tymuese, ndërsa pamjet nga ngjarja u shpërndanë dhe u komentuan në rrjetet sociale.
Grubi është i akuzuari i dytë në lëndën “Lotaria Shtetërore”, për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, si dhe për shkaktimin e dëmit prej 9,7 milionë eurosh në kompaninë shtetërore.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



