Pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend, ku janë ashpërsuar mardhëniet ndëretnike, LSDM opozitare kërkon urgjentisht takim liderësh, ndërsa VMRO-DPMNE, thotë se nuk do të lejojë të cënohet siguria.
Nga LSDM, theksojnë se ngjarjet e ditëve të kaluara, kur ndodhën incidente të rënda, me djegien e flamurit shtetëror, të shtënat me armë dhe cenimin e marrëdhënieve ndëretnike, ka shqetësuar rëndë qytetarët. Ndërsa ka goditur themelet e bashkëjetesës dhe sigurisë.
LSDM
“Kërkohet veprim i përbashkët i të gjithë aktorëve relevantë politikë, që politikanët të tregojnë pjekuri në këto momente dhe bashkërisht të ndihmojnë stabilitetin e shtetit. Qytetarët duhet të shohin imazhin e bashkimit – imazhin e liderëve që janë të gatshëm të ulen në të njëjtën tryezë, të bisedojnë dhe të përballen bashkërisht ndaj të gjitha sfidave”.
Ndërkaq, nga partia qeveritare VMRO-DPMNE, thonë se ngjarjet e fundit janë skenari I dyshes LSDM-BDI, të cilët dëshirojnë të krijojnë krizë artificiale, destabilizim dhe tensione etnike, ndërsa shtojnë se kjo , me kohë është zbuluar dhe shkatëruar.
VMRO-DPMNE
“Veprimet e LSDM-BDI implikojnë manipulimin me simbolikën e flamurit maqedonas. LSDM-BDI po përpiqen që ta defokusojnë opinionin nga veprimet e tyre kontraverze në frikë dhe agoninë nga përballja me drejtësinë. LSDM-BDI duhet ta dijnë se simbolet kombëtare nuk duhet të jenë viktima të lojrave të këtilla”.
Nga VMRO, theksojnë se të gjithë ata që kërcënojnë stabilitetin , do të përballen me pasojat e duhura ligjore dhe do të marrin përgjigjen e duhur nga institucionet. Samir Mustafa/SHENJA/