Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mund të kalojë sot filtrin e parë në Qeveri, informon zëvendës kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani. Osmani megjithatë nuk u përgjigj nëse në këtë ligj, ashtu siç pati premtuar BDI-ja, do të inkorporohet dispozita për përdorimin e shqipes në banknota dhe uniforma të policisë.
“Do ju informojmë në momentin kur do të kalojë në Qeveri”, ishte përgjigja e shkurtër e Osmanit.
Osmani i cili sot ishte në takim tek presidenti Gjorge Ivanov, tha se ai dhe partia e tij ende konsideron se Ivanov është një president jo legjitim, por në interes të integrimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE, të gjitha strukturat në vend duhet ti tejkalojnë dallimet.
“Mendoj se tani është momenti kur secili duhet të japë kontribut që të arrijmë një konsensuz shtetëror dhe politik, për të mbyllur disa tema senzitive dhe për të garantuar perspektivën euroatlantike të vendit” deklaroi Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Osmani njoftoi se ia ka shpjeguar Ivanovit planin “3-6-9”, dhe ia ka qartësuar nevojën për arritjen e unitetit politik për çështjet kyçe, si Marrëveshjen me Bullgarinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë. Në interes të marrëdhënieve të mira ndëretnike, dhe zbatimit të ligjit të gjuhëve, Osmani ka kërkuar mbështetjen e Ivanovit por të njëjtën e pret edhe nga VMRO DPMNE-ja.
Ferikan Arifi Iljazi
Ligji për gjuhët duhet të kaloje sot në Qeveri… by tvshenjaofficial

