Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka reaguar lidhur me ngjarjen e raportuar pak ditë më parë ku një grup nga Maqedonia e Veriut ka hequr simbolin e shqiponjës dykrenare, ku i cili ishte vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit. Federata ka theksuar se shqiponja dykrenare është simbol i historisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve dhe sipas tyre heqja e saj cenon respektin e ndërsjellë e frymën e solidaritetit në sport.
Nga ana e Federatës iu kërkua autoriteteve shqiptare të verifikojnë ngjarjen, të identifikojnë personat përgjegjës dhe të kthejnë simbolin në vend.
FEDERATA SHQIPTARE E ALPINIZMIT DHE TURIZMIT MALOR
“Sportet bashkojnë kombet dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi, jo përçarjeje. Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor dënon heqjen e shqiponjës dykrenare, nga një grup i Maqedonisë se Veriut, ky simbol është vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit, ngjarje e raportuar më 29 shtator 2026. Shqiponja dykrenare është simbol i identitetit, historisë dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Heqja e saj është një veprim që cenon respektin e ndërsjellë dhe bie ndesh me frymën e solidaritetit që përfaqëson alpinizmi”.
Federata bëri të ditur se u bëjnë thirrje organizatave të alpinizmit në Maqedoninë e Veriut që të distancohen nga veprime të tilla dhe të kontribuojnë në sqarimin e rastit. Dhe sipas tyre, sjellja e individëve nuk duhet të cenojë miqësinë dhe bashkëpunimin mes komuniteteve të tyre sportive.
Zebushe Ramadani /SHENJA/



