Tre vetura të djegura dhe një objekt afarist i djegur. Zjarrvënia e tyre kishte ndodhur mëngjesin e orës 3 të të së hënës, në Kumanovë. Prej tyre sipas njoftimeve zyrtare, njëra veturë ka qenë e prokurorit publik Xhelal Bajramit, ndërsa objekti i kryetarit të Këshillit të Kumanovës Fitor Jakupit. Sektori për Punë të Brendshme Kumanovë ka bërë me dije se nuk ka persona të lëndruar dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Ivana Mlladenovska, SPB Kumanovë
“Zjarret janë shuar nga ekipi Territorial i Zjarrfikësve në Kumanovë dhe nuk ka persona të lënduar. Kontroll është kryer nga një ekip i SPB-Kumanovë, është njoftuar edhe prokurori publik. Po merren masa për zbardhjen e rasteve”.
Zëvendës ministri i brendshëm Astrit Isenit, fillimisht tha se bëhet fjalë për qerim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminale, por më vonë e fshiu këtë pjesë dhe vetëm e la pjesën se do të luftojnë kriminelët. Ndërkaq, bënë me dije se personat që kanë vënë zjarrin dyshohet se kanë përdorur pajisje për bllokimin e kamerave.
Astrit Iseni, zv/ ministër i Punëve të Brendshme
“Duhet ta dinë të gjithë se tani është koha kur kriminelët do të marrin dënimin e merituar për veprat të cilat i bëjnë. Ka kaluar koha kur drejtësia ishte selektive. Tani askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia e veprave të tij. Banditët do të marrin dënimin e merituar. Bëjmë thirrje deri te të gjithë qytetarët që rastet t’i marrin me gjakftohtësi dhe t’ua lejnë në dorë institucioneve shtetërore për t’i zbardhur ato”.
Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe se po hetohen arsyet dhe motivet e mundshme të djegies së veturave dhe dyqanit.
PTHP
“Nga vendi i ngjarjes janë grumbulluar gjurmë, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës, po ashtu janë duke u këqyrur edhe kamerat mbikëqyrëse”.
Prokurori Publik Xhelal Bajrami ka pranuar që njëra veturë e djegur ka qenë e tij, por tha se ka qene veturë private, jo zyrtare. Ndërkaq, këshilltari komunal në komunën e Kumanovës, Fitor Jakupi, objektin në të cilin ishte vënë zjarri e kishte publikuar edhe në rrjetin e tij social facebook.
Fitor Jakupi
“Ju informoj se sot në orët e hershme diku afërsisht orës 3:05 të mëngjesit nga dora e zezë (të personave të panjohur) i’u është vënë flaka zyrës time private në Kumanovë”.
Reagime pati edhe nga partitë politike opozitare.
Bashkimi Demokratik për Integrim bëri thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar.
BDI
“Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend”.
Kurse nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thanë se sulmet ndaj shqiptarëve në Kumanovë, janë skenar i “srbski svet” dhe argatëve të tyre në RMV për destabilizim
ASH
“Fatkeqësisht si në të kaluarën edhe tani, Kumanova është zgjedhur përsëri si arenë për skenare të rrezikshme dhe goditjen e radhës ndaj shqiptarëve. Duke ndjekur me shqetësim situatën dhe zhvillimet e fundit, ju bëjmë thirje qytetarëve që të kenë kujdes e të mos bien pre e provokimeve dhe skenareve të këtilla, ndërsa Qeverisë dhe institucioneve kompetente që të veprojnë urgjentisht për të ndaluar të njëjtat”.
Rastin e ka denuar edhe Orhan Murtezani nga VLEN, i cili thotë se ndodhitë e këtilla vetëm na kthejnë prapa.
Orhan Murtezani, VLEN
“Ngjarjet e këtilla sigurisht që nuk ndihmojnë, mund të jenë dizajnuar qëllimshëm për të krijuar incidente, tensione, destabilizim , për çka ne po flasim një kohë të gjatë. Sigurisht që i denoj, ngjarjet e këtilla nuk na çojnë përpara, por duan që ne të mbetemi këtu ku jemi, por edhe më keq, të na kthejmë atje ku ishim”.
Ngjarjet kishin ndodhur në intervalin kohor nga ora 03:20-03:50.
Emine Ismaili /SHENJA/