BDI dhe sot ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi për deklaratën e tij se gjuha e vetme për komunikim ndërmjet insitucioneve është gjuha maqedonase. Ish-partia në pushtet ka ngritur pikëpyetje nëse për Afrim Gashin ishte një akt i qëllimshëm për të “mohuar rëndësinë e gjuhës shqipe” apo “besimi i gabuar” se shqipja është thjesht një gjuhë përkthimi.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Cila është arsyeja pse ju shokuat delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vizitës së tyre në Shkup? Pse, kur ata ju drejtuan në gjuhën tuaj amtare, ju vendosët të përgjigjeni dhe të zhvilloni të gjithë bisedën në maqedonisht, me përkthyes në shqip? Ky veprim nuk është thjesht një lëshim protokollar, por një mohim i hapur i identitetit kombëtar dhe një poshtërim për gjithë shqiptarët”
Sipas BDI-së, me këtë veprim Gashi ka përçuar një mesazh të rrezikshëm se gjuha shqipe, që është simbol i ekzistencës dhe unitetit kombëtar, nuk meriton të përdoret as në komunikimin e folur.
“Si mundet një përfaqësues shqiptar të refuzojë të flasë në gjuhën e tij amtare përpara përfaqësuesve të Shqipërisë dhe përpara qytetarëve shqiptarë që presin nga ai të mbrojë dhe promovojë identitetin e tyre”, pyet BDI. Sipas partisë që ishte në pushtet në të gjitha nomenklaturat qeveritare të deritashme, ky akt është një turp që i tejkalon kufijtë e një incidenti dhe tregon një mungesë të thellë respekti ndaj gjuhës dhe dinjitetit të shqiptarëve. /SHENJA/