Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se tre shtetet, megjithëse sovrane, ndajnë një hapësirë të përbashkët të kujtesës historike, gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, shkruan gazeta KOHA.
Në një reagim publik, Koçiu kujtoi se breza të tërë shqiptarësh kanë ëndërruar që bashkëpunimi mes shqiptarëve të mos kushtëzohej nga rrethanat politike, por të shndërrohej në një realitet të natyrshëm në shërbim të qytetarëve.
Ajo theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të disa faktorëve për të krijuar ndasi, faktet dëshmojnë një drejtim tjetër. Si shembull, Koçiu përmendi miratimin e marrëveshjes për unifikimin e procedurave të kontrollit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas modelit që tashmë zbatohet me Kosovën.
Sipas saj, sistemi i kontrollit të përbashkët kufitar do të mundësojë një procedurë të vetme kontrolli, duke e bërë kalimin në kufi më të shpejtë, më të lehtë dhe më efikas për qytetarët e të dy vendeve.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike dhe pjesëmarrjes së bashkëkombasve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta në Shqipëri, Koçiu nënvizoi nevojën për të bërë dallimin mes ndjenjës kombëtare dhe përdorimit të saj për qëllime politike.
“Në këto ditë kur në protesta përfshihen edhe bashkëkombas nga këto vende, është e rëndësishme të ruajmë një dallim të qartë mes ndjenjës kombëtare dhe instrumentalizimit të saj politik”, theksoi ajo.
Zëvendëskryeministrja shtoi se patriotizmi i vërtetë nuk matet me retorikë politike apo me përfshirje në përplasje partiake, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit dhe për të ndërtuar projekte që i shërbejnë interesit të përbashkët.
Koçiu vlerësoi se Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më të forta kur bashkëpunojnë mes tyre dhe se perspektiva evropiane mbetet rruga e vetme që garanton zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për shqiptarët në rajon.
“Rruga e vetme që u shërben shqiptarëve është ajo drejt Bashkimit Evropian. Çdo alternativë tjetër vetëm na përçan dhe na dobëson”, përfundoi Koçiu.


