Një aksion për arrestimin e personave të dyshuar për terrorizëm është zhvilluar në disa lokacione në Shkup, nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Siguri Nacionale. Nga MPB bëjnë të ditur se janë ndaluar disa persona nën dyshimin se kanë kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe të rëndë, Sektori për Luftë kundër Terrorizmit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, po zhvillon një aksion në disa lokacione në territorin e Shkupit, në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare”.
Sipas informacioneve jozyrtare gjatë aksionit janë gjetur armë automatike, municion, thika, një jelek taktik dhe simbole të ISIS-it. Jo zyrtarisht thuhet se MPB po vepron mbi bazën e të dhënave operative të marra më herët nga Agjencia për Siguri Kombëtare.
Nga Prokuroria njoftojnë se më shumë detaje do të bëhen të ditura pas përfundimit të aksionit. Aksioni ende është në zhvillim, ndërsa autoritetet kompetente për momentin nuk japin informacione shtesë për lokacionet ku po kryhen kontrollet dhe për provat e siguruara.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



