Xhevdet Pozhari
I dënuan me 21 vjet burg. Frashëri, Atdheu, Adea, Egzoni do të jenë të detyruar ta vuajnë jo vetëm dënimin që iu shqiptua, por edhe heshtjen kolektive.
Në rrethana të zakonshme, një subjekt politik si Lëvizja Vetëvendosje – e cila thirret në aktivizëm qytetar, nëse vërtetë do të ishte e bindur në pafajësinë e bashkëpartiakëve të tyre, asnjëherë nuk do ta toleronte që një vendim i tillë të kalojë në qetësi, aq më pak në heshtje.
Por, shpallja e verdiktit të gjykatës dy ditë para balotazhit, mungesa e transparencës gjatë tërë procesit gjyqësor lidhur me rastin e sulmit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, dënimi në mungesë të fakteve të mirëqena rikujtojnë edhe një herë se çfarë përmasa të rrezikshme është duke marrë (pa)drejtësia në Kosovë. Për më tepër, këto vendime marrin edhe tone të forta provokuese sidomos kur dihet ndjeshmëria e rastit dhe shpallja eventuale e pafajshme e aktivistëve të dënuar do të nënkuptonte edhe Astrit Dehari vdiq i pafajshëm në burg.
Sigurisht, për Lëvizjen Vetëvendosje si subjekt politik në këto rrethana mbi të gjitha është i rëndësishëm mobilizimi që pakënaqësia e atyre të cilët e kundërshtojnë këtë lloj “drejtësie” të përkthehet me votë për kandidatët e tyre. Ata do të tregohen pa diskutim të “zjarrtë” në argumentime në paraqitjet politike, por kjo vetëm sa do ta shpalosë edhe më tej të vërtetën se karriera e shumë “yjeve” të Lëvizjes Vetëvendosje do të vazhdoj të ngritet në kurriz të padrejtësisë së të dënuarve të pafajshëm të cilët sot duhet të presin epilogun e rezultatit zgjedhor që dikush të kujtohet për ta. Që dikush të kujtohet se ata janë fëmijë të prindërve që janë të bindur se janë dënuar pafajshëm, se ata janë viktima të një sistemi të çoroditur të drejtësisë dhe se ata janë, po ashtu, edhe viktima të ambicieve politike të udhëheqësve të tyre.
Andaj, që tani mund të thuhet se Lëvizja Vetëvendosje mbase e fitoi betejën politike – pavarësisht rezultateve zgjedhore. Ajo dëshmoi se ka pjekurinë për të vepruar politikisht dhe të mos bie pre e provokimeve. Mirëpo, ajo edhe kësaj radhe dëshmoi se tani si e reformuar idealet i mbron vetëm me statuse nëpër rrjetet sociale. Nëse dikur padrejtësia për këtë Lëvizje nënkuptonte veprim, sot nënkupton kalkulim. Dhe kështu duhet të veprojë një subjekt i pjekur politik, me qetësi dhe maturi. Ajo nuk ka kohë më për aventura politike. Pankartat e protestave i kanë zëvendësuar me statuset nëpër rrjetet sociale, ndërsa nuk është larg mendsh se më shumë iu gëzohen numrit të “llajkave” sesa numrit të pjesëmarrësve në një protestë kundër padrejtësive. Kuptohet, në këto rrethana, mbi të gjitha, i gëzon numri i votave!