Modelja Klea Prenga, ka reguar sërish lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për dy motrat, Antonela dhe Marinela Berishaj, të cilat e shpërfytyruan me gotë qelqi disa muaj më parë në një restorant në Tiranë.
Në seancën e 18 tetorit Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mariela Berishajn nga “arrest me burg” që ishte, ndërsa la të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berishaj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Klea Prenga e ka cilësuar jo të duhur masën e sigurisë ndaj dy motrave, të cilat u dorëzuan në polici rreth tre muaj pas ngjarjes.
Ajo akuzon gjyqtaren e çështjes se i ka hedhur poshtë provat e sulmit ndaj saj dhe sipas saj, nuk mund të merret një vendim kaq i lehtë për to.
“Kriminelët që kanë fëmijë dhe precedentë penalë, si Mariela dhe Antonela Berishaj, nuk mund të fshihen pas statusit të tyre familjar për të shmangur përgjegjësinë për krimet e tyre. Fakti që ka fëmijë nuk e bën atë më pak të rrezikshme”, shkruan ajo.
Më tej modelja thotë se nëse drejtësia dështon në këtë rast, atëherë vetëgjyqësia është alternativa e vetme.
“Nëse drejtësia dështon në këtë rast, po më thoni që vetëgjyqësia është alternativa e vetme. Ju kërkoj të merrni masat e duhura për të ndëshkuar përgjegjësit e këtij akti të rëndë. Organizatat vendore dhe ndërkombëtare janë të informuara për rastin tim, dhe nëse shteti im dështon të vendosë drejtësi, situata do të eskalojë në nivel ndërkombëtar”, shkruan modelja.
Klea Prenga zotohet se do të vazhdoj të kërkoj drejtësi me çdo mjet të ligjshëm, deri sa përgjegjësit të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
Postimi i plotë i Klea Prengës
Thirrje Publike për Gjyqtaren Migena Laska
I drejtohem gjyqtares Migena Laska me një thirrje urgjente dhe të qartë: Drejtësia duhet të vihet në vend për rastin tim! Kam përjetuar një sulm brutal që më ka shkaktuar dëme të mëdha fizike dhe psikologjike. Nuk do të pranoj që ky rast të neglizhohet apo të zvarritet më tej.
Si mund të merret një vendim kaq i lehtë dhe të lihet me detyrim paraqitje një bashkëpunëtore në krim, e cila shihet qartë në video duke marrë gotën dhe tentuar të më godasë, pasi motra e saj më ka sulmuar me gotë. Fakti që këto veprime të dhunshme janë të dokumentuara qartë dhe nuk ka vend për interpretime, e bën vendimin e gjykatës një tallje me drejtësinë.
Kriminelët që kanë fëmijë dhe precedentë penalë, si Mariela dhe Antonela Berishaj, nuk mund të fshihen pas statusit të tyre familjar për të shmangur përgjegjësinë për krimet e tyre. Fakti që ka fëmijë nuk e bën atë më pak të rrezikshme, përkundrazi, ato kanë treguar qartë me veprimet e tyre të dhunshme dhe me precedentët penal në Itali se janë një kërcënim për shoqërinë. A lejohet që dhunuesit të lihen të lirë vetëm sepse kanë fëmijë? Nëse drejtësia dështon në këtë rast, po më thoni që vetëgjyqësia është alternativa e vetme.
Ju kërkoj të merrni masat e duhura për të ndëshkuar përgjegjësit e këtij akti të rëndë. Organizatat vendore dhe ndërkombëtare janë të informuara për rastin tim, dhe nëse shteti im dështon të vendosë drejtësi, situata do të eskalojë në nivel ndërkombëtar. Unë kam të drejtë të mbrohem nga kriminelët, dhe mungesa e veprimit nga ana juaj do të jetë një dështim i madh për sistemin e drejtësisë.
Unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi me çdo mjet të ligjshëm deri sa përgjegjësit të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. Drejtësia nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim që shteti duhet të përmbushë për të gjithë qytetarët e tij. Nuk do të ndaloj deri sa të sigurohet që ky rast të marrë trajtimin e duhur.
Dëshmitë dhe pretendimet e motrave Berishaj
Mariela Berishaj ka kërkuar falje për atë ç’ka ka bërë dhe kërkon mëshirë pasi është nënë me një fëmijë 2 vjeç.
“Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, ka thënë ajo.
Para togave të zeza ajo është shprehur se ka një vit që po kalon një periudhë të vështirë psikologjike.
“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, tha Marinela Berishaj para Gjykatës.
Ndërkohë, ish-banorja e Big Brother Vip, Antonela Berishaj, ka dëshmuar se sipas tyre ato kanë qënë në restorant për të darkuar dhe janë provokuar nga Klea Prenga.
Antonela ka kërkuar ndjesë publike dhe është shprehur e gatshme për të bërë gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të ndihmuar Klea Prengën të rehabilitohet fizikisht.
“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës”, ka dëshmuar Antonela Berishaj.
Kujtojmë se sot (18 tetor) Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mariela Berishën nga “arrest me burg” që ishte, ndërsa la të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berisha.
Antonela dhe Marinela Berisha u vetëdorëzuan në polici mbrëmjen e së mërkurës (16 Tetor) pasi më shumë se dy muajsh në kërkim.