Protesta kundër qeverisë ka shënuar ditën e 100-të, me qytetarë, aktivistë, emigrantë dhe figura publike që janë mbledhur sërish në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshim politik.
Në këtë ditë simbolike, protestuesit kanë përcjellë mesazhin se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa disa prej aktivistëve kanë deklaruar se janë të gatshëm të protestojnë edhe 100 ditë të tjera, nëse do të jetë e nevojshme.
Një prej mesazheve të përsëritura gjatë protestës ishte se lëvizja nuk duhet të shihet vetëm si një aksion politik i opozitës, por si një reagim qytetar.
Gazetari Osman Stafa deklaroi se “këtë protestë nuk e ka thirrur partia, por Shqipëria”, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos heqin dorë nga qëndresa.
“Ka një moment kur të thërret atdheu. Ky është momenti që shqiptarët të luftojnë për atdheun”, tha Stafa, ndërsa theksoi se qytetarët duhet t’u besojnë më shumë njëri-tjetrit sesa partive politike.
Dritan Goxhaj e cilësoi 100-ditëshin si një dëshmi të rezistencës së vazhdueshme qytetare.
“100 ditë pa u lodhur, pa u trembur dhe pa dhunë”, u shpreh ai.
Sipas Goxhajt, forca e protestës nuk matet vetëm me numrin e njerëzve në shesh, por me qëndrueshmërinë e tyre.
“Ne nuk po kërkojmë hakmarrje, por liri”, deklaroi ai, duke shtuar se 100 ditët e protestës nuk duhet të shërbejnë vetëm për të rrëzuar një qeveri, por edhe për të ndërtuar një alternativë.
Edhe Edison Lika deklaroi se protesta ka ruajtur të njëjtin entuziazëm si në ditën e parë.
Në shesh u dëgjuan gjithashtu thirrje për largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Profesori i Universitetit Bujqësor, Ramiz Metaliaj, deklaroi se qytetarët kanë dalë në rrugë për të bërë atë që opozita nuk ka arritur ta bëjë.
The post Mbyllet dita e 100 e protestës kundër qeverisë, qytetarët paralajmërojnë vijimin e qëndresës: Rama jep dorëheqjen appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


