Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pezulluar operacionin ushtarak amerikan për shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, më pak se 48 orë pas nisjes së tij,raporton BBC.
Megjithatë, ai bëri të ditur se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi.
Trump deklaroi se vendimi u mor pas një kërkese nga Pakistan, i cili ka vepruar si ndërmjetës mes SHBA-së dhe Iran, duke shtuar se “është bërë përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare” me Teheranin.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane e cilësuan këtë lëvizje si një “tërheqje”, duke e lidhur me “dështimet e vazhdueshme” të Trump për të rihapur këtë rrugë jetike për transportin global detar.
Pak para njoftimit të Trump, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ofensiva fillestare SHBA-Izrael në Iran, e njohur si Operation “Epic Fury”, kishte përfunduar pasi objektivat e saj ishin arritur.


