Një 65-vjeçar është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vdekjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe të një foshnjeje tre muajshe, të cilët janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa rasti po hetohet si vrasje e rëndë.
Policia është njoftuar për ngjarjen rreth orës 08:47 të mëngjesit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë policore, prokurori i shtetit dhe ekipet emergjente mjekësore, të cilat kanë konstatuar vdekjen e dy personave.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes. Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar babai i 27-vjeçarit, 65 vjeç.
Zogaj ka sqaruar se rasti fillimisht ishte cilësuar si vdekje e dyshimtë, por pas hetimeve të zhvilluara është rikualifikuar dhe po trajtohet në kuadër të veprës penale të vrasjes.
“Rasti që nga momenti i parë ka pasur dy cilësime. Në mëngjes, nga prokurori është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pas hetimeve të zhvilluara është rikualifikuar dhe tashmë do të hetohet në kuadër të veprës penale të vrasjes”, ka bërë të ditur gazetarja.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të 27-vjeçarit dhe foshnjës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur se me çfarë mjeti dyshohet se është kryer vepra penale dhe as cilat janë rrethanat e sakta të ngjarjes.
“Ende nuk mund të konfirmohet se me çfarë mjeti është kryer vepra penale. Ajo që dihet deri në këto momente është se ka një person të arrestuar, ndërsa rrethanat e tjera pritet të bëhen të ditura gjatë vazhdimit të hetimeve”, ka raportuar Altiana Zogaj.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe motivit të mundshëm./Euronews.



