Pas përfundimi të takimit mes kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të LSDM-së, Zoran Zaev, në Reçicë të vogël, BDI përmes një komunikate ka njoftuar se integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE duhet të jetë një ndër prioritete kryesore të Qeverisë së re, njofton SHENJA.
“Dy liderët e koalicionit u dakorduan rreth parimeve të qeverisjes me ç’rast përsëritën prioritetet e shumicës së re që përfshijnë reformat serioze në sundimin e së drejtës në përputhje me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, integrimin e vendit në NATO dhe BE, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike si dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomik bashkë me rritjen e standardit jetësor. Një ndër prioritetet e qeverisjes do të jetë edhe integrimi i menjëhershëm i vendit në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE me c’rast palët u dakorduan për angazhim serioz në drejtim të realizimit të këtij synimi të përbashkët. Pas harmonizimit parimor dhe programor, dy partnerët e koalicionit diskutuan edhe për ndarjen e resoreve dhe ranë dakord që kabineti i ardhshëm qeveritar ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm dhe të kualifikuar për t’i prirë proceseve shumë të rëndësishme për vendin tonë”, shkruan në komunikatën e BDI-së. /SHENJA/

