Në takimin e zhvilluar të mërkurën ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman al Saud, Presidentit të Sirisë, Ahmed al Sharaa, dhe Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, Siria ka deklaruar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Presidenti i Sirisë shprehu gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, duke hapur rrugën për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe partneriteteve në fusha të ndryshme.
Takimi është konsideruar një moment i rëndësishëm për Kosovën, duke shënuar një njohje shtesë ndërkombëtare dhe një hap të madh drejt forcimit të pozicionit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Më 29 tetor 2025, Siria u bë vendi i fundit që iu shtua kësaj liste.
Ministria e Jashtme e Sirisë tha se vendimi për njohjen e Kosovës “buron nga bindja e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga angazhimi i saj për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”.
“Kjo vendimmarrje është pjesë e politikës së Sirisë që synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes ndaj vendeve mike, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta dhe forcon lidhjet e miqësisë midis popujve”, thuhet në njoftim të kësaj Ministrie në X.


