Policia e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ka nisur, prej 21 janarit, zbatimin e planit operativ të koduar “Përdorimi i telefonit & rripi i sigurisë”.
Ky plan, siç njoftohet, synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të ndërgjegjësojë drejtuesit e mjeteve për respektimin e rregullave të trafikut. Me rritjen e aksidenteve të lidhura ngushtë me përdorimin e telefonit celular, është bëre urgjente nevoja për veprime të shpejta dhe efektive nga ana e autoriteteve.
“Fokusi kryesor i këtij plani është: Parandalimi dhe ndëshkimi i përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, një faktor kryesor në aksidente. Duhet të theksohet se kjo vepër jo vetëm që rrezikon jetën e shoferëve, por gjithashtu kërcënon pasagjerët dhe pjesëmarrësit e tjerë në rrugë,” theksohet në njoftim.
Kontrolli i përdorimit të rripit të sigurisë nga drejtuesit dhe pasagjerët është gjithashtu një masë thelbësore për të garantuar sigurinë personale në rast aksidenti. Statistikat tregojnë se përdorimi i rripit të sigurisë mund të reduktojë ndjeshëm pasojat nga aksidentet e trafikut.
Gjatë periudhës nga 21 deri më 26 janar 2025, policia ka shqiptuar 89 gjoba për shoferët që përdorin telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit dhe 37 gjoba për ata që nuk kanë vënë rripin e sigurisë. Këto masa ndëshkuese janë vendosur për të forcuar disiplinën dhe ndërgjegjësimin në rrugë.
Njësia e Komunikacionit Rrugor do të ketë prani të theksuar në pika të ndryshme në rrugët magjistrale dhe në qytetet si Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit. Me përdorimin e teknologjisë moderne, policia do të monitorojë dhe dokumentojë shkeljet, duke garantuar një nivel më të lartë të sigurisë në rrugë.
Policia e Rajonale e Ferizajt në mënyrë proaktive fton qytetarët të raportojnë çdo rast të shkeljeve të ligjit të trafikut rrugor, sepse vetëdija dhe angazhimi i qytetarëve janë të domosdoshme për përmirësimin e sigurisë rrugore.
“Të gjithë drejtuesit e mjeteve të motorizuara inkurajohen që të respektojnë rregullat e trafikut, duke kontribuar në uljen e aksidenteve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit,” përfundon njoftimi i policisë. Ky angazhim për një trafik më të sigurt duhet të jetë një përparësi për çdo qytetar, sepse jeta e çdo individi varet prej nesh në rrugë.