Katër institucione që kanë kryer kontrolle sigurie për t’i dhënë shtetësi të Maqedonisë së Veriut politikanit ukrainas Oleksandar Onishçenko nuk kanë hasur në asnjë element të kontestueshëm dhe dhanë mendim pozitiv. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se këto institucione, mes të cilave edhe Agjencia për Siguri Kombëtare, kanë dhënë vlerësime pozitive, pas çka Qeveria ka marrë vendimin përfundimtar për dhënien e shtetësisë. Spasovski shtoi se për Onishçenkon nuk është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar nga ndonjë shtet tjetër.
“Bëhet fjalë për lëndë e cila ka marrë vlerësime pozitive nga katër institucione përkatëse në vend, në fund dërgohet në Qeveri dhe Qeveria ka të drejtë diskrecionale që të japë apo të refuzojë shtetësinë. Jo, nuk ka askund. Fletarrestimi ndërkombëtar nuk është vetëm tek ne, kur lëshohet, lëshohet në Interpol dhe vlen për të gjithë botën”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmoi se Qeveria ka marrë vlerësime pozitive nga institucionet për Onishçenkon dhe paralajmëroi se e gjithë kjo çështje do t’i nënshtrohet një rishqyrtimi.
“Mbi bazë të atyre mendimeve pozitive, Qeveria mori vendim që personi të marrë shtetësi. Por tani, normalisht si Qeveri do të kërkojmë rishqyrtim për të parë nëse ka ndonjë informacion tjetër që duhet marrë parasysh”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeminsitër.
Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja, kërkon që të ndërpritet procedura për emërimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski për ambasador në Francë, pasi, siç thotë, është dhënë mendim pozitiv për Onishçenkon, person i cili është në listën e zezë të SHBA-ve.
“Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, nuk meriton të jetë ambasador në Francë. Në qoftë se MPJ nuk e tërheq vendimin për emërimin e drejtorit aktual të ASK-së për ambasador në Francë, atëherë Presidenti Pendarovski do të duhet të ndërmarrë diçka. Të paktën një herë le të mos jetë ekzekutor partiak, gjegjësisht le ta mos nënshkruajë Dekretin për një person që i sjell turp Maqedonisë”, pohoi
Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani thotë se së pari duhet të zbardhet i gjithë rasti, gjegjësisht institucionet të vërtetojnë nëse ka diçka të kontestueshme, e pastaj ai do të vendosë nëse MPJ do të ndërmarrë ndonjë hap. Megjithatë, i bën thirrje kryetarit të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoskit të thërrasë një seancë për ta dëgjuar Dimovskin për këtë rast.
“Qëllimi i këtyre bisedimeve është që ato çështje të zhvillohen aty ku duhet, përmes institucioneve dhe jo përmes konferencave për media. Domethënë ata kanë mundësinë ta ftojnë z.Dimovskin dhe kandidatin tjetër për ambasador dhe t’i parashtrojnë të gjitha pyetjet për të cilat mendojnë se janë të rëndësishme. Unë vlerësoj se është në interesin e tyre që ta thërrasin këtë komision, nëse nuk e bëjnë këtë, kjo do të thotë se nuk kanë asnjë vërejtje. Atëherë unë do të kërkoj nga Presidenti që ta nënshkruajë Dekretin”
Arsyeja që Onishçenko të marrë shtetësi të RMV-së ishte interesi kombëtar sportiv, gjegjësisht ai përfaqësoi vendin tonë dhe mori pjesë në garat ndërkombëtare për kërcim me kuaj nën flamurin e Maqedonisë, pasi mori shtetësinë në maj të këtij viti.