Grupi i këshilltarëve të AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit ka paraqitur iniciativë për përgatitjen dhe miratimin e një programi për subvencionimin e blerjes së automjeteve elektrike për transportin taksi.
Këshilltari Abdulselam Selami, përmes një njoftimi, tha se iniciativa synon të përfaqësojë kërkesat e qytetarëve dhe të kontribuojë në modernizimin e transportit në kryeqytet.
Sipas iniciativës, qëllimet kryesore janë përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe ulja e emetimeve, mbështetja e operatorëve të licencuar të taksive, modernizimi i transportit taksi dhe nxitja e mobilitetit të gjelbër e të qëndrueshëm.
Grupi i këshilltarëve propozon që të përcaktohen kritere të qarta dhe të barabarta për përfituesit e subvencioneve, ndërsa të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëfinancimit nga burime shtetërore dhe ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, kërkohet planifikimi i zhvillimit të infrastrukturës për karikimin e automjeteve elektrike në qytet.
Në iniciativë kërkohet që shërbimet kompetente, brenda 60 ditëve, të përgatisin analizë financiare, modelin e subvencionimit, kriteret për përfituesit dhe propozimin për sigurimin e mjeteve financiare.
“Shkup më i pastër do të thotë qytet më i mirë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Selamit.



