Çmimet në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të rriten. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni në tetor 2026 ishte 3.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa vetëm gjatë një muaji çmimet u rritën për 0.4 për qind.
Rritja është vërejtur në disa kategori të rëndësishme për qytetarët. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan për 0.7 për qind krahasuar me shtatorin, ndërsa banimi, uji, energjia elektrike dhe lëndët djegëse u rritën për 0.3 për qind.
Rritjen më të madhe vjetore e ka shënuar transporti, me 9.5 për qind. Më të shtrenjta janë edhe rekreacioni dhe kultura për 8.5 për qind, pijet alkoolike dhe duhani për 7.8 për qind, si dhe shërbimet arsimore për 5.6 për qind.
Çmimet në restorante dhe shërbimet e akomodimit janë rritur për 4.9 për qind gjatë një viti, ndërsa veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar për 2.6 për qind.
Vetëm gjatë tetorit, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te pijet alkoolike dhe duhani, me 2.5 për qind. Veshjet dhe këpucët, si dhe shërbimet e rekreacionit dhe kulturës, janë shtrenjtuar për 1.2 për qind.
Nga ana tjetër, disa produkte dhe shërbime kanë shënuar ulje çmimesh. Mobiljet dhe pajisjet shtëpiake janë liruar për 1.3 për qind, restorantet dhe akomodimi për 0.7 për qind, ndërsa shërbimet e kujdesit personal për 0.5 për qind.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht uljes së disa çmimeve, kostoja e jetesës në vend vazhdon të jetë më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.
MARKETING
<!–



