Struga u kthye sërish në një pikëtakim të rëndësishëm të artit dhe kulturës shqiptare, falë edicionit të 13-të të festivalit “K’tu Fest”, i cili ndër vite ka krijuar një traditë të veçantë artistike, duke sjellë në këtë qytet emrat më të shquar të skenës dhe kinematografisë shqiptare.
Një nga momentet më emocionuese të këtij edicioni ishte ndarja e çmimit prestigjioz “K’tu Fest” për Mjeshtrin e Madh Ndriçim Xhepa, një prej figurave më të rëndësishme të teatrit dhe filmit shqiptar.
Çmimi iu akordua me motivacionin:
“Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e skenës dhe të kinemasë, duke sjellë dimensione të reja në mjeshtërinë e aktorit.”
Ceremonia mori një dimension të veçantë emocional kur aktori i madh kujtoi nënën e tij, të paharruarën Margarita Xhepa, Artiste e Popullit, e cila kishte një lidhje të ngushtë shpirtërore dhe artistike me Teatrin Poshka dhe festivalin “K’tu Fest”.
Margarita Xhepa ishte ndër artistet që e mbështetën dhe e shoqëruan këtë rrugëtim kulturor, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij. Ndriçim Xhepa shprehu mirënjohje të veçantë për festivalin dhe për regjisorët Olsa dhe Xhelo Poshka, të cilët prej 13 vitesh, me përkushtim dhe dashuri për artin, kanë arritur ta shndërrojnë Strugën në një stacion të rëndësishëm të artistëve shqiptarë.
Çmimi “K’tu Fest” iu dorëzua aktorit nga kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, një mbështetës i vazhdueshëm i Teatrit Poshka dhe aktiviteteve të tij kulturore, që shumë përpara marrjes së detyrës si kryetar komune.
Festivali vazhdon traditën e nderimit të personaliteteve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në artin dhe kulturën shqiptare. Kujtojmë se vitin e kaluar, çmimi “K’tu Fest” iu dha gazetares dhe personalitetit të njohur Dijana Toska, e cila, krahas arritjeve të shumta profesionale, është edhe organizatorja e koncertit madhështor në Vatikan, kushtuar Nënë Terezës.
Pas 13 vitesh, “K’tu Fest” nuk është më thjesht një festival. Ai është kthyer në një urë kulturore që bashkon artistë, breza dhe qytete, duke dëshmuar se Struga, përtej bukurisë së saj natyrore, ka edhe një identitet të fuqishëm artistik.







