Partia “Levica” akuzon VMRO-DPMNE-në se ka refuzuar të mbështesë dhe as të diskutojë propozimligjin për ndihmë familjeve të reja në blerjen e banesave.
Sipas “Levicës”, propozimi parashikonte që shteti të mbulonte 20% të shumës bazë të kredisë banesore për çdo fëmijë të lindur ose të adoptuar, me mbështetje maksimale deri në 100 mijë euro.
Nga kjo parti thonë se, ndërsa pushteti flet për rritjen e natalitetit dhe vlerat familjare, të rinjtë përballen me kredi afatgjata, qira të larta dhe pasiguri ekonomike.
Levica thekson se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, në 65 nga 80 komunat e vendit është regjistruar shtim negativ natyror, me 2.967 vdekje më shumë sesa lindje.
“Familjet nuk krijohen me leksione morale dhe parulla për natalitetin, por me siguri ekonomike dhe kushte dinjitoze për jetesë”, thuhet në reagimin e Levicës.



