Për hartimin e shportës së re të konsumit, e cila do të quhet mesatare, zv. ministri i ekonomisë, Marjan Risteski, përsëriti se miratimi i saj duhet të kalojë në Këshillin Ekonomiko-Social, i cili do të mbahet së shpejti.
Ai theksoi se shporta do të jetë një pasqyrë cilësore e një familjeje mesatare me tre anëtarë, sipas të dhënave të ESHS.
Risteski është i qartë se shporta nuk do të shërbejë për krijimin e opinionit publik as për politikë. Sipas tij, shporta aktuale nuk përputhet me gjendjen reale dhe nevojat.
“Shporta jonë e konsumit sigurisht që nuk do të përfshijë në llogaritjet alkool, cigare, pushime jashtë vendit, pasi ne e konsiderojmë atë si luks. Po ashtu, nuk do të ketë fruta që nuk janë karakteristike për një sezon të caktuar të vitit. Të gjitha do të jenë mbi baza të dhënash relevante dhe çmime relevante të produkteve dhe të dhëna nga disa tregje. Të gjitha çmimet do të merren parasysh.
Askush nuk ia shkurton të drejtën për pushim, por, megjithatë, shkuarja në pushime jashtë vendit nuk mund ta sigurojë çdo qytetar në këtë vend, mendojmë se nuk është një nga të dhënat që duhet të hyjnë në llogaritjen e shportës mesatare të konsumit. Nuk mund të zbuloj tani të gjitha të dhënat”, tha sot Risteski në forumin ekonomik “Fuqizimi i grave të punës”.