Nga sot deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore në vend vendoset një regjim i përkohshëm veror i trafikut, i cili ndalon lëvizjen e mjeteve të rënda mallrash me një masë totale mbi 15 ton, gjatë fundjavës dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Orari është si në vijim: e premte nga ora 17:00 deri në 22:00, e shtunë nga ora 9:00 deri në 18:00 dhe e diel nga ora 9:00 deri në 22:00.
LAMM informon se në ditët me temperatura të larta ekstreme, të përcaktuara nga Ministria e shëndetësisë, ndalesa do të vlejë edhe nga e hëna deri të enjten në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë, lule, ndihmë humanitare, drithëra dhe kultura drithërash dhe mallra që prishen, naftë dhe derivate të naftës, transport të materialeve të rrezikshme dhe automjete që kryejnë transport për kompani që kanë lidhur kontrata për zbatimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.
Në rrugën magjistrale A2: Shkup – Ohër – Shkup (e vlefshme deri më 1 shtator), ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda mallrash, masa totale e të cilave tejkalon 7.5 ton, gjatë fundjavave, në intervalet: e premte nga ora 15:00-22:00, e shtunë nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00 dhe e diel nga ora 07:00 deri në 22:00.
Ky regjim i veçantë trafiku vendoset gjatë verës me qëllim që të shmanget mbingarkesa e trafikut në pjesën rrugore që të çon në destinacionin turistik më të vizituar në Republikën e Maqedonisë, të zvogëlohet mbingarkesa në pikat e pagesës dhe në përgjithësi të sigurohet rrjedhë më e shpejtë e automjeteve dhe lëvizje e papenguar e turistëve. Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, kultura drithërash dhe mallra që prishen shpejt.


