Me prezantimin e provave materiale nga Prokuroria që kanë të bëjnë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut (ISHT), sot në sallën e gjyqit në “Idrizovë” vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Procesi gjyqësor ndodhet në fazën e shqyrtimit të provave, ndërsa në seancën e kaluar Prokuroria prezantoi prova të siguruara nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, sektori për turizëm dhe hoteleri, të cilat kishin të bënin me licencimin e diskotekës.
Me paraqitjen e provave nisi prokurorja Natasha Saramandova, e cila tha se ato lidhen me rrethana relevante mbi mënyrën se si kishte nisur funksionimi i objektit, edhe pse nuk ishin plotësuar kushtet minimale teknike për veprimtarinë e tij. Më pas procesin e vazhdoi një prokuror tjetër, pasi mbrojtja paraqiti në Gjykatë kërkesë për përjashtimin e Saramandovës, duke pretenduar “veprim të njëanshëm gjatë prezantimit të provave, me përjashtimin e elementeve që janë me rëndësi thelbësore”.
Pas kësaj, prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në shenjë revolte, u larguan vullnetarisht nga salla e gjyqit në Institucionin Korrektues-Penal Idrizovë.
Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.
Kjo konsiderohet si një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Procesi gjyqësor drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.


