Dr. Ali Maksuti
Çdo ribalanc i buxhetit paraqitet si një domosdoshmëri ekonomike. Megjithatë, pyetja që duhet të shtrojmë nuk është nëse shteti duhet ta ndryshojë buxhetin, por nëse po e ndryshon atë për të krijuar zhvillim apo thjesht për të mbuluar problemet e momentit. Ribalanci i fundit i Buxhetit të Maqedonisë së Veriut ka rikthyer në qendër të debatit politikën fiskale të vendit. Në kushte të ngadalësimit ekonomik në Evropë, presioneve inflacioniste dhe rritjes së kostove të financimit, qeveria ka zgjedhur të rrisë shpenzimet dhe njëkohësisht edhe deficitin buxhetor. Kjo mund të jetë një zgjidhje e pranueshme në afat të shkurtër, por nuk është domosdoshmërisht një strategji zhvillimore. Në ekonomi ekziston një parim i thjeshtë, borxhi nuk është problem nëse krijon vlerë të re. Problemi lind atëherë kur borxhi përdoret për konsum, ndërsa investimet që gjenerojnë rritje ekonomike mbeten në plan të dytë. Nëse një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të ribalancit përdoret për paga, transferta dhe shpenzime korrente, efekti pozitiv do të jetë i përkohshëm. Konsumi mund të rritet për disa muaj, por ekonomia nuk bëhet më konkurruese. Në fund, mbetet vetëm një borxh më i madh që do të paguhet nga brezat e ardhshëm. Nga ana tjetër, nëse fondet orientohen drejt investimeve kapitale, infrastrukturës, energjisë, arsimit, teknologjisë dhe mbështetjes së sektorit privat, atëherë ribalanci mund të shndërrohet në një instrument të vërtetë zhvillimi ekonomik. Këto investime krijojnë produktivitet, vende pune dhe të ardhura më të larta në të ardhmen. Një tjetër sfidë është realizimi i investimeve kapitale. Për vite me radhë kemi parë plane ambicioze në letër, ndërsa realizimi praktik ka mbetur nën pritshmëri. Kjo do të thotë se problemi nuk është vetëm mungesa e mjeteve financiare, por edhe kapaciteti institucional për t’i shndërruar ato në projekte konkrete. Në këtë kontekst, ribalanci nuk duhet të vlerësohet sipas shumës së parave që shpërndan, por sipas rezultateve që prodhon. Një buxhet i madh nuk është domosdoshmërisht një buxhet i mirë. Efikasiteti i shpenzimeve publike mbetet treguesi më i rëndësishëm i suksesit të politikës fiskale. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi. Çdo denar i marrë përmes tatimeve ose huamarrjes duhet të justifikohet me një efekt konkret në ekonomi dhe në cilësinë e jetës. Përndryshe, ribalanci mbetet vetëm një korrigjim kontabël që shtyn problemet për nesër. Dyshimi është i thjeshtë, a po ndërtojmë një ekonomi më të fortë, apo vetëm po blejmë kohë me para të marra hua? Përgjigjja nuk do të jepet nga konferencat për shtyp apo deklaratat politike, por nga rezultatet që do të shohim në vitet që vijnë. Sepse ekonomia nuk gjykon premtimet, ajo gjykon rezultatet.


